“Kryetar pa rival”/ Balla ironizon zgjedhjet për kreun e PD-së, ministri publikon “duelin” e Berishës me vetveten
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me zgjedhjet në PD, duke publikuar një foto të krijuar me Inteligjencë Artificiale që ironizon garën për drejtimin e partisë.
Në imazh, Sali Berisha shfaqet në një ring boksi përballë një versioni tjetër të vetes, duke krijuar idenë e një gare pa kundërshtar real.
Njëri personazh është i veshur me të kuqe dhe mban vetëm emrin “Berisha 2”, ndërsa tjetri shfaqet me ngjyrat blu dhe simbolin e PD-së, me mbishkrimin “Kryetar i PD”.
Në foto duket edhe një arbitër që i ngre dorën “fituesit”, ndërsa personazhi tjetër mbetet i dëmtuar në ring.
Në sfond shihet një poster me mbishkrimin: “Zgjedhjet në PD, kryetar pa rival”.
Krahas fotos, Balla ka shkruar me ironi: “Pas një gare tepër të fortë, shpallet fituesi”.







