Rusia po zhvillon bisedime për organizimin e një takimi trepalësh mes presidentit Vladimir Putin, homologut amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, bëri të ditur të martën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Takimi i mundshëm do të zhvillohej në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), më 18–19 nëntor në Shenzhen të Kinës, ku parashikohet pjesëmarrja e të tre udhëheqësve. Megjithatë, ai ende nuk është konfirmuar nga të gjitha palët.
“Ekziston një mirëkuptim i përbashkët mes pjesëmarrësve në një takim të tillë të mundshëm se ai do të ishte i përshtatshëm dhe shumë i dobishëm. Po punohet për koordinimin e tij”, deklaroi Peskov, duke shtuar se Moska shpreson që përgatitjet të përmbyllen në ditët e ardhshme.
Putin e mirëpriti publikisht mundësinë të dielën, por tha se realizimi i takimit do të varej “në masë të madhe” nga mikpritësit kinezë.
Trump kishte deklaruar muajin e kaluar se dëshironte të takohej me Putinin dhe Xi-n fillimisht për çarmatimin bërthamor, por edhe për luftën në Ukrainë. Ai tha se ishte i gatshëm të merrte pjesë në bisedime që mund të ndihmonin në përfundimin e konfliktit.
Perspektiva e një takimi pa përfaqësimin e Kievit ka nxitur shqetësim në Ukrainë. Presidenti Volodymyr Zelensky kërkoi që një takim i tillë të paraprihej nga bisedime ku të përfshihej edhe vendi i tij.
“Nuk dua që kjo të jetë një ‘Jaltë 2, 3 apo 4’, ku bëhet një rishpërndarje e ndikimit”, deklaroi Zelensky në fund të tetorit, duke iu referuar konferencës së vitit 1945, kur udhëheqësit amerikanë, britanikë dhe sovjetikë diskutuan organizimin e Europës pas luftës.
Kina nuk ka komentuar publikisht mundësinë e takimit trepalësh. Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, i cili u takua me Xi-n javën e kaluar, tha për ARD-në se udhëheqësi kinez ishte dukur i habitur kur ishte pyetur për bisedime të mundshme mbi Ukrainën. Sipas Steinmeierit, Xi e kundërshtoi idenë se Kina, Rusia dhe SHBA-ja do ta diskutonin Ukrainën në një takim të tillë.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme kineze i tha “Financial Times” se është në komunikim me palët përkatëse për një takim mes presidentëve të Kinës dhe Rusisë, pa përmendur pjesëmarrjen e Trumpit.


