×
Tuesday, December 10, 2024

Kosovë, Gjykata Kushtetuese kërkon mosndërhyrje në pavarësinë e punës së saj

May 20, 2020


Gjykata Kushtetuese në Kosovë konstatoi se po bëhet presion dhe ka tendencë për ndërhyje në pavarësinë e punës së saj, duke e dënuar ashpër çdo diskurs publik që si objektiv ka Gjykatën Kushtetuese. Në një reagim të martën vonë, datë 19.05, Gjykata Kushtetuese tekstualisht përmendi se po ndjek me shqetësim “diskursin politik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti dhe kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike”.”Këta zyrtarë duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës. Gjykata Kushtetuese dënon po aq ashpër edhe përfoljen e gjyqtarëve individualë, si persona që kanë autorizime apo përgjegjësi vendimmarrëse individuale në këtë çështje.” Në reagimin e gjykatës dënohet ashpër ndërhyrja në pavarësinë institucionale, si dhe përpjekjet e aktorëve politikë dhe institucionalë, për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore.

Më datën 30 prill, presidenti Hashim Thaçi, dekretoi Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, si kandidat për ta formuar qeverinë e re të Kosovës, pas rrëzimit të qeverisë së Kurti më 25 mars. Vetëvendosja e Albin Kurtit këtë dekret e kundërshtoi duke e dërguar në Gjykatën Kushtetuese. E kjo e fundit e pezulloi dekretin e Thaçit deri më 29 maj derisa të marrë vendim për ligjshmërinë e këtij vendimi.

Deutschland Berlin 2019 | Hashim Thaci, Präsident Kosovo (Getty Images/AFP/J. MacDougall)

Presidenti Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Kurti kanë zhvilluar polemika në distancë këto javë

Kurti publikon letrën e Gardës Vullnetare Shqiptare

Që nga 30 prilli e deri në këtë kohë, presidenti dhe kryeministri në detyrë kanë zhvilluar polemika në distancë se kush ka të drejtë ose jo, ndonëse që të dy kanë theksuar se duhet lënë Gjykatën të punojë pa presione.

Të martën pak para reagimit të Gjykatës Kushtetuese, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, publikoi në profilin e tij një letër nga një organizatë siç e quan veten “Garda Vullnetare Shqiptare”, e cila paralajmëron “aksione”, kundër mbështetjes së idesë për një protestë në fund të këtij muaji.

“Kemi informata që grupe të ndryshme të lëvizjes Vetëvendosje janë në organizim të protestave në Prishtinë që do të mbahen me 29 maj 2020. Albin Kurti dhe të gjithë udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje që ndihmojnë në organizimin e kësaj proteste tashmë kanë arsye të shqetësohen për sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre nga njësitet e Gardës”, thuhet në letrën që e publikoi Kurti, i cili shtoi se në fakt “kërcënimi nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, nuk është ndaj tij, por ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër. Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata”, shkroi Albin Kurti në një postim në profilin e tij social.

Kosovo Pristina | Albin Kurti, Premierminister (Getty Images/AFP/A. Nimani)

Nuk ka reagime nga policia

Policia e Kosovës deri tani nuk e ka komentuar dhe nuk është deklaruar nëse është duke zhvilluar hetime lidhur me kërcënimet nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, që e përmend Kurti në postimin e tij.

Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, ku ishte pjesë e saj edhe LDK, u rrëzua me mocion mosbesimi më 25 mars, mocion ky i iniciuar nga vetë LDK, pas përplasjeve dhe mospajtimeve që kishin me Vetëvendosjen dhe liderin e saj Albin Kurti. Ky i fundit, pas rrëzimit të qeverisë së tij në parlament po vazhdon të kërkojë zgjedhje të reja, ndërsa tentimin për krijimin e një qeverie të re pa partinë fituese në këtë rast Vetëvendosjen po e cilëson antikushtetues.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments