Rizzo: BE do të mbështesë Shqipërinë për forcimin e sigurisë kibernetike

03 Nov 2026 • 14:25
Shpërndaje:

Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në forcimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike dhe përafrimin e legjislacionit me standardet europiane, deklaroi i ngarkuari me punë i Delegacionit të BE-së, André Rizzo.

Gjatë konferencës së organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ai theksoi se kërcënimet digjitale prekin sigurinë kombëtare, ekonominë dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

“Kërcënimet kibernetike kanë si qëllim të cenojnë një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm, shtetin e së drejtës, respektimin e të drejtave të njeriut dhe sistemin e vlerave demokratike”, u shpreh Rizzo.

Reklamë Ola

Sipas tij, sulmet nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë mund të shënjestrojnë proceset demokratike, infrastrukturën dhe rrjetet kritike. Ai paralajmëroi se pasojat e tyre mund të shtrihen përtej kufijve të vendit të sulmuar, ndaj nevojitet një përgjigje e koordinuar ndërkombëtare.

Siguria digjitale, pjesë e rrugës drejt BE-së

Reklamë InterMedika

Rizzo e lidhi forcimin e mbrojtjes kibernetike me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se vendet kandidate duhet të garantojnë një hapësirë digjitale të sigurt për qytetarët dhe ekonomitë e tyre.

Sipas tij, zhvillimi i këtyre kapaciteteve kontribuon edhe në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e vetë BE-së.

Diplomati rikujtoi se Shqipëria dhe BE-ja nisën partneritetin për sigurinë kibernetike në vitin 2024 dhe se kjo fushë ka qenë përparësi edhe në dy dialogët përkatës mes palëve.

Asistencë teknike, trajnime dhe përafrim ligjor

Mbështetja europiane përfshin ekspertizë për përmirësimin e kuadrit ligjor, projekte asistence dhe trajnime, përfshirë ato në kuadër të Planit të Rritjes.

Rizzo veçoi bashkëpunimin me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike (ENISA) dhe Akademinë e Qeverisjes Elektronike për ngritjen e kapaciteteve dhe rritjen e qëndrueshmërisë ndaj sulmeve.

Ai theksoi se BE-ja mbetet e angazhuar të mbështesë bashkëpunimin e institucioneve shqiptare me vendet anëtare dhe partnerët rajonalë, krahas përafrimit të legjislacionit me kërkesat europiane.