Kos për BBC: Shqipëria ka bërë hapa pozitive në rrugëtimin drejt BE-së
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin Marta Kos, në një intervistë të saj, theksoi se gjatë mandatit të saj si komisionere, pritet të ketë anëtarësime të reja në Bashkimin Evropian, nëse vendet kandidate vijojnë me ritmin e reformave.
Kos theksoi edhe hapat pozitive që ka bërë vendi ynë në zbatimin e reformave.
”Kemi Malin e Zi, i cili është më i avancuari. Kemi Shqipërinë, e cila po ecën mirë, si dhe Moldavinë. Pra, këto tre vende dhe ndoshta edhe Ukraina, nëse çojnë përpara reformat, shpresoj që gjatë mandatit tim t’i kemi shtete antare të BE-së”, theksoi ajo.
Komisionerja Kos vlerësoi dhe Islandën, teksa tha se ”qytetarët e këtij vendi do të vendosin në fund të muajit gusht, nëse do të hyjnë në negociata për anëtarësim”, pasi sipas saj, ”ata janë tashmë shumë të integruar në Bashkimin Europian, përfshirë tregun e përbashkët dhe zonën Shengen”.







