Koronavirusi, rihapet më 18 maj Akropoli i Athinës
Akropoli i Athinës, monument i njohur i antikitetit në Greqi si dhe të gjitha qendrat arkeologjike të vendit do të rihapen më 18 maj para rihapjes së muzeve më 15 qershor, njoftoi sot qeveria.
Duke tërhequr çdo vit miliona vizitorë, Akropoli i Athinës, qendra arkeologjike dhe muzetë janë mbyllur që prej mesit të muajit mars në kuadër të masave shtrënguese të vendosura nga qeveria për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, COVID-19.
“Akropoli i Athinës do të rihapet më 18 maj, ashtu si dhe të gjitha qenrat arkeologjike të vendit”, theksoi ministrja e Kulturës, Lina Mendoni në një konferencë shtypi.
Ajo nënvizoi se masat e distancimit social do të jenë të detyrueshme dhe se një numër i kufizuar vizitorësh do të lejohen të hyjnë në të njëjtën kohë në qendrat arkeologjike dhe muze.
Që prej të hënës, Greqia filloi lehtësimin gradual të kufizimit me rihapjen e parukerive dhe tregjeve të vogla.
Gjimnazet do të rihapen më 18 maj para rihapjes më 1 qershor të kafeneve, bareve, tavernave dhe kinemave verore që funksionojnë në natyrë.
Qeveria premtoi për një rikthim gradual në normalitet duke nënvizuar se kjo do të varej nga zhvillimi i epidemisë në vend.
Greqia me një popullsi prej 10,7 milionë banorë ka regjistruar deri tani 147 të vdekur dhe 2 663 raste me COVID-19.
Eunews.al