Koronavirusi, OKB: Ekonomia globale drejt reçesionit
Përmasat e Covid-19 dhe pasojat në humbjen e mijëra jetëve në të gjithë botën ka sjellë reagimin e Kombeve të Bashkuara. Ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i cili është shprehur, përmes një videokonference për gazetarët, se “Nëse lejojmë që virusi të përhapet si zjarr, veçanërisht në rajonet më të rrezikuara të botës, ai do të vrasë miliona njerëz” .
Me tone shqetësuese Guterres i tha reporterëve që “Ky është një moment që kërkon veprim të koordinuar, vendimtar dhe inovativ të politikave nga ekonomitë kryesore të botës.” Koordinimi është me rëndësi edhe për shkak të recesionit ekonomik global të paprecedentë i cili pritet të jetë realitet i afërt.
Rreth 25 milion vende pune mund të humbasin në të gjithë botën për shkak të pandemisë koronavirus. Ky është alarmi i ngritur nga Organizata Botërore e Punës (ILO) e cila në një botim saktësoi se “Kriza ekonomike e krijuar nga pandemia e Covid-19 mund të rrisë numrin e të papunëve në të gjithë botën me 25 milion“. Sipas agjencisë së OKB-së për punën, një përgjigje e koordinuar nga bashkësia ndërkombëtare mund të “ulë ndjeshëm” këtë shifër. Për shkak të pandemisë koronavirus, punëtorët në të gjithë botën mund të humbnin deri në 3,400 miliardë dollarë. Pandemia e Covid-19, paralajmëron agjensia e Kombeve të Bashkuara, do të krijojë miliona të papunë dhe kjo do të thotë “humbje të mëdha për punëtorët“.
Megjithatë Guterres, në sajë edhe të eksperiencës së mëparshme si kryeministër i Portugalisë nga 1995 deri 2002, u bëri thirrje vendeve të rrisin shpenzimet në sistemin shëndetësor dhe të ndihmojnë kombet më pak të përgatitur për të zgjidhur krizën, përfshirë këtu duke mbështetur përpjekjet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Një vend i pasur nuk duhet të jetë i bindur se duhet të merret vetëm me qytetarët e vet. Eshtë në interesin e një vendi të pasur të kontribuojë në një përgjigje globale sepse kriza mund të vijë nga kudo, në çdo moment, ” tha ai.
Në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së ai i bëri thirrje vendeve të G20 të kenë në vëmendje vendet në zhvillim dhe të Afrikës për të kaluar pa pasoja të rënda këtë krizë të shkaktuar nga pandemia e Covid-19.
Eunews.al