Koronavirusi, Kuvendi i Serbisë voton heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme
Kuvendi i Serbisë votoi të mërkurën për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme në këtë vend, e cila është vendosur më 15 mars, si masë për frenimin e koronavirusit.
Ky vendim u miratua me 155 vota për, 1 abstenim dhe asnjë kundër.
Ai hyn në fuqi në më pak se tetë ditë pas votimit në gazetën zyrtare.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se propozimi për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme është sjellë në kuvend pas rekomandimeve nga profesionistë shëndetësorë.
“Kushti themelor ka qenë që për më shumë se shtatë ditë të kemi nën pesë për qind të infektuar, në raport me numrin e të testuarve. Ky kusht është përmbushur, që nga 28 prilli ne jemi nën pesë për qind”, tha Bërnabiq.
Ajo shtoi se pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme, qytetarët do të duhet të mësojnë të jetojnë me koronavirusin, duke respektuar distancën fizike dhe masat tjera.
“Normaliteti ynë i ri do të jetë jeta dhe puna nën masat e distancimit fizik, social, me maska dhe me rritje të higjienës. Të gjitha këto do të jenë të nevojshme deri në gjetjen e vaksinës për koronavirus”, shtoi mes tjerash kryeministrja serbe.
Në Serbi me koronavirus janë infektuar 9,791 persona, ndërsa kanë vdekur 203.
Eunews.al