×
Monday, January 13, 2025

“Komisioni Europian do të shpall kornizën e bisedimeve më 3 qershor”

May 1, 2020


Zv/kryeministri për çështje evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në një konferencë për media ka informuar për hapat e ardhshme lidhur me procesin e negociatave të vendit të tij me Bashkimin Evropian.

Para samitit të BE-së, që do të mbahet javën e ardhshme në Zagreb, zv/kryeministri Osmani kujtoi se në muajin mars të këtij viti BE-ja vendosi të fillojë bisedimet e pranimit me vendin e tij, duke përmendur se kjo ndodh saktësisht 16 vite pas aplikimit të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. 

“Vendimi ndodh në rrethana të papritura, në një pandemi, por pavarësisht kësaj askush nuk mund dhe nuk duhet ta ul vlerën e vendimit, sepse kjo paraqet hapjen e kapitullit të fundit të qëllimit tonë të dytë strategjik pas anëtarësimit në NATO dhe ky është anëtarësimi i plotë”, tha Osmani.

Duke folur për hapat e ardhshme në lidhje me procesin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, Osmani informoi se së bashku me vendimin për fillimin e negociatave të pranimit, Këshilli i BE-së cakton një mandat për Komisionin Evropian për të përgatitur kornizën e negociatave për kushtet në të cilat BE-ja do të pranojë Maqedoninë e Veriut si anëtare të saj.

Sipas zv/kryeministrit Osmani, “korniza e bisedimeve konsiderohet dokumenti më i rëndësishëm në të cilin vendet anëtare përcaktojnë qëndrimet e tyre dhe më pas Komisioni Evropian, që negocionon teknikisht në emër të vendeve anëtare, duhet t’i respektojë ato qëndrime dhe pastaj në vazhdimësi t’i informojë vendet anëtare”.

“Informacionet tona janë se Komisioni do ta publikojë këtë kornizë negociuese, gjegjësisht do ta paraqesë atë më 3 qershor, kur Komisioni do të dalë me një paketë të re të zgjerimit, gjegjësisht Raportin Vjetor të Progresit”, theksoi Osmani, duke shtuar se gjatë muajit qershor, kur është edhe Samiti i BE-së, hapet mundësia për konferencën e parë ndërqeveritare.

Siç tha Osmani, kjo do të thotë se korniza e bisedimeve do të miratohej gjatë presidencës së Kroacisë me BE-në dhe se konferenca e parë ndërqeveritare do të mbahej gjatë presidencës së Gjermanisë, e cila sipas tij, është një rrethanë jashtëzakonisht e favorshme për vendin e tij duke marrë parasysh se është një mbështetës i fortë i zgjerimit. Konferenca pritet të zhvillohet midis shtatorit dhe dhjetorit të këtij viti.

Ai shtoi se aktualisht gjëja më e rëndësishme është arritja e një konsensusi politik në vend dhe kjo çështje të mbahet jashtë grindjeve politike me qëllim që sa më shpejtë të mbyllen negociatat për pranimin e vendit në BE.

I pyetur lidhur me çështjet e diskutueshme të historisë midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut si dhe për mundësinë për bllokimin e rrugës së vendit drejt BE-së nga Bullgaria, zv/kryeministri Osmani tha se ai pret që kjo periudhë të përdoret për bisedime dhe të arrihet marrëveshje brenda Marrëvshjes së Fqinjësisë së Mirë, të cilën e nënshkruan të dyja vendet dhe roli i të cilës, siç tha Osmani, është të krijojë një kornizë dhe platformë për zgjidhjen e të gjitha problemeve.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments