×
Saturday, November 8, 2025

Kiselova: Bullgaria, mbështetje integrimit të përshpejtuar të Shqipërisë në BE

June 9, 2025


Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, priti sot në Kryesinë e Kuvendit, Kryetaren e Parlamentit të Bullgarisë, Nataliya Kiselova.

Gjatë takimit, Spiropali, vlerësoi marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve si dhe shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë dypalësh, nëpërmjet shkëmbimit të vizitave politike të nivelit të lartë.

Spiropali u shpreh se marrëdhëniet politike midis Shqipërisë dhe Bullgarisë janë të shkëlqyera, të qëndrueshme dhe pa çështje të pazgjidhura mes vendeve.

Spiropali vlerësoi mbështetjen e fortë të Bullgarisë për integrimin evropian të Shqipërisë dhe shprehu bindjen se kjo mbështetje do të vijojë edhe për planin ambicioz për përfundimin e negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.

“Ky objektiv i yni shkon krah për krah me prioritetet e agjendës së Komisioneres së Zgjerimit Marta Kos, të prezantuara në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Parlamentit Evropian, AFET. Ne kemi besim në mbështetjen e Bullgarisë, edhe në mbledhjet e Këshillit të Bashkimit Evropian, si një vend anëtar. Shqipëria ka bërë thirrje për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit në familjen evropiane, i cili është i rëndësishëm jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për vetë Bashkimin Evropian, nëse mbajmë parasysh pasojat dhe implikimet e luftës Rusi-Ukrainë në Ballkanin Perëndimor dhe në kontinentin evropian. Të njëjtën dëshirojmë e urojmë edhe për integrimin evropian të vendeve të tjera të rajonit tonë, destinacioni i natyrshëm i të cilëve është Bashkimi Evropian.

Bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë është intensiv dhe po zhvillohet në nivele të larta. Këtu kam parasysh jo vetëm takimin e sotëm, por edhe vizitën e ish kryeparlamentarit Zhelyazkov në Kuvendin e Shqipërisë në shkurt 2024 dhe takimet në nivele të tjera.

Bullgaria është një partner ekonomik i Shqipërisë, por mendoj se ka ende potenciale për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike e tregtare.

Të dy vendet tona do të vazhdojnë të mbështesin luftën e drejtë dhe sigurinë e Ukrainës, si pjesë e një kuadri më të gjerë të mbrojtjes europiane dhe përtej kontinentit.

Ndajmë të njëjtat vlerësime se komuniteti shqiptar në Bullgari dhe komuniteti bullgar në Shqipëri kanë mbështetjen e parlamenteve, qeverive dhe institucioneve, për ruajtjen e gjuhës e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e prosperitetin, si asete me vlerë dhe ura miqësie mes dy vendeve”, u shpreh Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit të Bullgarisë, Nataliya Kiselova, përgëzoi Shqipërinë për përparimet e shënuara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe theksoi se Bullgaria do të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt BE.

Kiselova u shpreh se, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një faktor stabiliteti për Ballkanin Perëndimor.




Comments are closed.