Kievi frenoi sulmet ndaj rafinerive ruse pas presionit Amerikan

30 Oct 2026 • 10:22
Shpërndaje:

Ukraina dyshohet se ka pezulluar përkohësisht sulmet ndaj rafinerive ruse pas presionit diplomatik të administratës së presidentit amerikan Donald Trump, raporton The Wall Street Journal.

Sipas gazetës, vendimi është marrë rreth mesit të tetorit dhe mund të qëndrojë në fuqi deri pas zgjedhjeve amerikane të mesmandatit, më 3 nëntor. Autoritetet ukrainase nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht një pezullim të tillë.

Megjithatë, në orët e para të së premtes u raportua një sulm ndaj rafinerisë në Novokuibyshevsk të Rusisë, ku shpërtheu zjarr. Raportimet për këtë incident e bëjnë të paqartë nëse një kufizim i mundshëm i sulmeve mbetet në fuqi.

Reklamë Ola

Sipas WSJ-së, gjatë takimit të 20 tetorit në Oslo, Jared Kushner, dhëndri dhe i dërguari i Trumpit, i kërkoi presidentit Volodymyr Zelensky ndalimin e të gjitha sulmeve për 30 ditë, si shenjë mirënjohjeje për përpjekjet diplomatike amerikane.

Burime amerikane i përshkruan bisedimet si të tensionuara. Zelensky nuk ka konfirmuar marrëveshje për pezullimin, por ka lënë të kuptohet se ushtria po ndjek një qasje më të kujdesshme.

Reklamë InterMedika

Trump kishte deklaruar më herët se marrëveshja për naftën dizel mes SHBA-së dhe Rusisë ishte arritur pasi Zelensky kishte shpërfillur kërkesat amerikane për ndalimin e goditjeve ndaj rafinerive ruse.

Sipas raportimeve, edhe disa aleatë evropianë e kanë këshilluar Kievin të marrë parasysh ndikimin politik të çmimeve të energjisë në SHBA përpara zgjedhjeve.

Përpara incidentit të së premtes, një sulm ndaj infrastrukturës ruse të naftës ishte raportuar më 20 tetor, kur u godit një stacion pompimi i tubacionit Druzhba në rajonin e Tambovit.

Ndërkohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës vijojnë. Sipas RBC-Ukraine, një sulm me raketa balistike ndaj Kievit të enjten në mbrëmje shkaktoi të paktën një viktimë. U raportuan zjarre në magazina, rënie mbetjesh raketash pranë një kompleksi banimi dhe dëmtimi i një banese.