Presidenti Bajram Begaj nisi sot konsultimet për datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027, duke pritur fillimisht kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Sipas burimeve nga Presidenca, të cituara nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, Balla i ka komunikuar kreut të shtetit se “PS është e gatshme për çdo datë, përveç 2 majit”.
Kërkesa e socialistëve lidhet me përkimin e kësaj date me Pashkët Ortodokse.
Në orën 11:00 është parashikuar takimi me përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate, ndërsa konsultimet do të vijojnë me forcat e tjera politike.
Partia Demokratike e ka refuzuar ftesën. Kreu i grupit të saj parlamentar, Gazment Bardhi, e ka cilësuar procesin “teatër politik”, duke kërkuar që presidenti të përqendrohet te garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Zgjedhjet vendore parashikohen të mbahen në një të diel brenda periudhës 15 prill–15 maj 2027.


