Britania e Madhe dhe Izraeli kanë arritur një kompromis diplomatik për të shmangur mbylljen e plotë të konsullatës britanike në Jerusalemin Lindor, pas disa javësh tensionesh lidhur me sanksionet britanike ndaj vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.
Sipas një raportimi të POLITICO, marrëveshja parashikon largimin e shumicës së diplomatëve britanikë, ndërsa përfaqësia do të vazhdojë të funksionojë me një prani të kufizuar, nën emërtimin “Misioni i Mbretërisë së Bashkuar”.
Ministri i Jashtëm britanik, Ed Miliband, deklaroi se diplomatët dhe familjet e tyre po tërhiqen përkohësisht për arsye sigurie, por theksoi se misioni do të mbetet i pavarur dhe funksional, duke vijuar angazhimin me popullin palestinez.
“Gjatë muajve të ardhshëm do të punojmë për të rindërtuar praninë tonë dhe nuk do të ndërmarrim masa reciproke për sa kohë që diskutimet vazhdojnë dhe janë të besueshme”, u shpreh Miliband.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, e paraqiti zhvillimin si rezultat të masave diplomatike të ndërmarra nga Izraeli në përgjigje të politikave britanike.
“Kemi vendosur një parim të qartë: Nuk është e mundur të veprosh kundër Izraelit pa marrë Izraeli masat e duhura në përgjigje”, deklaroi Sa’ar.
Ai njoftoi se konsullata britanike po ndërpriste aktivitetin e saj dhe se tabela identifikuese e përfaqësisë ishte hequr. Sipas tij, 20 diplomatë britanikë, përfshirë konsullin e përgjithshëm, do të largohen nga Izraeli.
Megjithatë, flamuri britanik vazhdonte të valëvitej mbi ndërtesën e konsullatës mëngjesin e së enjtes, sipas BBC-së.
Një burim i njohur me qëndrimin e qeverisë izraelite i tha POLITICO se misioni i mbetur do të ketë funksione shumë të kufizuara dhe nuk do të mund të ofrojë shërbime konsullore, si lëshimi i vizave apo rinovimi i pasaportave.
Sipas tij, shtatë diplomatët që do të qëndrojnë në përfaqësi do të kujdesen kryesisht për mirëmbajtjen e ndërtesës dhe ruajtjen e pranisë simbolike britanike.
Pavarësisht kufizimeve, Ministria e Jashtme britanike e konsideron kompromisin një rezultat pozitiv, pasi shmang mbylljen përfundimtare të një përfaqësie diplomatike me histori gati 200-vjeçare.
Londra kundërshton pretendimin se Izraeli ka të drejtën ligjore të mbyllë konsullatën, duke argumentuar se Jerusalemi Lindor është territor i pushtuar dhe se statusi i tij nuk i jep autoriteteve izraelite një kompetencë të tillë.
Përplasja nisi pasi qeveria britanike njoftoi ndalimin e tregtisë me vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, të cilat konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.
Në përgjigje, Izraeli paralajmëroi më 8 shtator se konsullata britanike do të mbyllej brenda 30 ditësh.
Për të shmangur këtë vendim, këshilltari britanik për Sigurinë Kombëtare, Jonathan Powell, zhvilloi javën e kaluar bisedime në Jerusalem me autoritetet izraelite.
Londra shpreson se ruajtja e një pranie minimale diplomatike do t’i krijojë mundësi të rikthejë gradualisht aktivitetin e plotë të misionit, veçanërisht pas zgjedhjeve izraelite të 27 tetorit.


