×
E mërkurë, 20 Janar, 2021

Joe Biden fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA

7 Nëntor, 2020

Kandidati i demokratëve, Joe Biden, sipas raportimeve të njëzëshme të disa mediave amerikane ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA pas fitores në Pensilvani. Trump duket se nuk e njeh rezultatin.

Televizionet CNN, NBC, CBS, ABC, e media të tjera kanë bërë të ditur, se Joe Biden është fitues i zgjedhjeve presidenciale të shtunën në duelin e ashpër me presidentin aktual, Donald Trump. Biden sipas të dhënave të mediave fitoi në shtetin kyç, Pensilvani me 20 delegatët e kolegjit, dhe me këtë ka fituar zgjedhjet. Sipas të dhënave të mediave, Biden fiton kështu 273 delegatë të kolegjit. Për fitoren Bidenit i duhen 270 të tillë. Kështu 77 vjeçari zgjidhet jo vetëm presidenti i 46 i Shteteve të Bashkuara, por edhe presidenti më i moshuar në historinë e vendit.

Joe Biden është shprehur se do të jetë “një president për të gjithë amerikanët. Ai është i „nderuar” të jetë zgjedhur për „të drejtuar vendin tonë të jashtëzakonshëm”, shkroi Biden të shtunën në twitter. “Puna para nesh do të jetë shumë e vështirë, por unë ju premtoj: do të jem president i të gjithë amerikanëve, pavarësisht nëse keni votuar për mua ose jo.” 
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas shpreson pas fitores së Joe Bidenit për një “fillim të ri” të marrëdhënies transatlantike, ka shkruar Maas në twitter.

Trump nuk dorëzohet kollaj

Donald Trump, sipas njoftimeve në media nuk do të njohë fitoren e kandidatit demokrat, Joe Biden. „Fakti i thjeshtë është që këto zgjedhje nuk kanë marrë fund ende”, bëri të ditur Trump të shtunën. Biden „në mënyrë të gabuar” e paraqet veten si fitues dhe mbështetet në këtë pikë nga „aleatët e tij të medias”, ka thënë Trump.
Trump kishte bërë të ditur që më parë, se do të hedhë në gjyq rezultatin dhe për këtë do të shkojë deri në Gjykatën Supreme. Presidenti ka folur për manipulime masive zgjedhore, por nuk ka sjellë deri më tani prova për atë që “demokratët” duan t’i vjedhin zgjedhjet. Shanset e padive të Donald Trump për zgjedhjet konsiderohen të vogla. Edhe në radhët e republikanëve është shtuar kritika për deklaratat e presidentit amerikan, sepse me sulmin ndaj sistemit zgjedhor, ai sulmon një nga shtyllat qendrore të demokracisë. Trump deri më tani ka lënë të kuptohet, se nuk do ta dorëzojë aq lehtë Shtëpinë e Bardhë. Mandati i presidentit në detyrë merr fund më 20 janar, ditën kur betohet presidenti i ri.

Përkrahës të Biden dëgjojnë fjalimin e tij më 6 nëntor

Vëzhguesit: Koha e duhur për Joe Biden

“Ishte thjesht koha e duhur për të”, tha Mitchell S. McKinney, professor në Universitetin e Misurit dhe i specializuar për debatet presidenciale. “Ishte konteksti i duhur dhe lidhet me atë, se me çfarë po ballafaqohemi ne si komb për momentin.” Biden njihet për atë që bashkëpunon ngushtë me kolegët e tij edhe kur janë të një mendimi ndryshe nga ai. “Ai është një njeri i kongresit, ishte për një kohë të gjatë pjesë e tij dhe kuptohet me të gjithë, ka thënë politologu Bruce Buchanan për Deutsche Wellen. “Dhe është e vështirë të gjesh dikë në D.C. që nuk e pëlqen Joe Biden. Për të thuhet, se ai ka punuar për një kohë të gjatë shumë mirë me republikanët, nuk është ideolog, dhe një njeri simpatik dhe miqësor, thotë Buchanan, profesor politolog në Universitetin e Teksasit në Austin.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për