×
Wednesday, December 11, 2024

Itali, shkon në 6 numri i viktimave nga koronavirusi

February 24, 2020


Koronavirusi po përhapet me ritme të shpejta në veri të Italisë. Numri i viktimave arriti në 6, ndërsa 229 janë të infektuarit. Tre viktimat e kësaj të hëne janë të moshuar të 80, 84 dhe 88 vjeç nga rajoni i Lombardisë. Nga ky rajon janë 5 të vdekur, vetëm 1 në Veneto.

Harta e të prekurve shtrihet në 5 rajone. Krahas Lombardisë e Venetos, të infektuar ka edhe ne Piemonte, Emilia Romanja dhe Lacio, siç duket edhe në këtë hartë të publikuar nga mediat italiane.

Autoritetet kanë marrë masa drastike në përpjekje për të izoluar virusin. Në 10 qytezat e vendosura në karantinë, ku janë shfaqur edhe rastet e para të të prekurve, policia nuk lejon hyrjet dhe daljet. Këto pamje janë xhiruar në Kastelpusterlengo, pranë Milanos.

Shkollat, universitetet dhe institucionet publike janë mbyllur thuajse në të gjitha qytetet e mëdha. Të përfshirë nga paniku e për të shmangur sa më shumë daljet nga banesat, banorët po furnizohen masivisht me ushqime, duke krijuar radhë të gjata jashtë supermarketeve. Në disa supermarkete ka mungesë ushqimesh për shkak të blerjeve të jashtëzakonshme.

Në farmaci mungojnë maskat. Nëpër qytet lëvizjet janë të pakta. Teatri i famshëm i operas, La Scala ka anuluar të gjitha shfaqjet për një periudhë të pacaktuar. Karnavalet e Venecias nuk do të zhvillohen.

Masat e ashpra kanë prekur edhe futbollin. Nga 7 ndeshje të planifikuara janë zhvilluar vetëm 2, ndërsa Federata Italiane e Futbollit ka kërkuar autorizim nga qeveria që ndeshjet të luhen pa tifozë.

Si dëshmi situatës, televizionet më të mëdha italiane i shfaqën emisionet pa praninë e publikut. Organizata Botërore e Shëndetësisë do të dërgojë te martën një ekip mbikëqyrësish në terren.

Ministria e jashtme e Shqipërisë njoftoi se deri më tani nuk ka raste të emigrantëve shqiptarë të prekur nga koronavirusi në Itali. Këtë e pohoi për televizionin Klan edhe mjekja nga epidemiologe Adela Sulejmani që shërben në spitalin e Desios, një qytezë 23 kilometra në veri të Milanos.

Disa vende europiane po ushtrojnë kontrolle të rrepta për të gjithë personat që shkojnë nga Italia. Në aeroportet dhe pikat e kalimit kufitar në Rumani po u nënshtrohen analizave, të gjithë emigrantët rumunë që kthehen nga Italia.

Kontrolle nëpër autobusët, trenat dhe avionët që vijnë nga Italia janë ushtruar edhe në Austri e Francë.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments