×
Monday, June 8, 2026

Investim britanik prej 1.6 milionë paundësh për modernizimin e pikave doganore shqiptare

June 8, 2026


Ministri i Financave, Petrit Malaj, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, dhe ambasadori i Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, zhvilluan një vizitë në Degën Doganore të Bllatë, ku inspektuan investimin e realizuar për modernizimin e sistemeve të monitorimit dhe kontrollit kufitar.

Gjatë vizitës, ministri Malaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në forcimin e sigurisë kufitare dhe modernizimin e administratës doganore shqiptare.

“Ky është një investim i cili shtrihet në 11 pika doganore dhe kap një vlerë prej 1.6 milionë paundësh”, deklaroi Malaj.

Nga ana e tij, drejtori i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se projekti ka rritur ndjeshëm kapacitetet operacionale të administratës doganore.

Sipas tij, falë këtij investimi, Doganat shqiptare kanë tashmë në dispozicion 121 kamera të reja me teknologji moderne, të cilat mundësojnë monitorim më efikas të pikave kufitare dhe përmirësim të proceseve të kontrollit.

“Çdo qytetar dhe çdo biznes që kalon në territorin e Republikës së Shqipërisë do të ketë kontrollin e duhur, por do të shohë edhe shpejtësinë e duhur në këtë kontroll”, u shpreh Beja.

Ambasadori britanik Nicholas Abbott e cilësoi bashkëpunimin mes institucioneve shqiptare dhe britanike si një shembull të suksesshëm partneriteti në fushën e sigurisë kufitare dhe luftës kundër aktiviteteve të paligjshme.

“Ajo që kemi bërë, duke bashkëpunuar me doganat, është vërtet një shembull i bashkëpunimit shumë të ngushtë që ekziston tani mes dy vendeve tona. Kemi rezultate pozitive dhe jam i kënaqur që kemi punuar së bashku për të arritur në këtë fazë”, tha Abbott.

Sipas autoriteteve, projekti është realizuar në bashkëpunim me institucionet britanike, përfshirë Home Office International Operations dhe HM Revenue & Customs (HMRC), dhe ka ndikuar në modernizimin e sistemeve të kontrollit kufitar dhe rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e riskut.

Në kuadër të investimit janë instaluar sisteme moderne kamerash dhe teknologji për leximin automatik të targave, të cilat ndihmojnë në parandalimin e trafiqeve të paligjshme, identifikimin e lëvizjeve me risk të lartë dhe zbulimin e rasteve të transportit të parave të padeklaruara.

Autoritetet vlerësojnë se modernizimi i infrastrukturës doganore do të përmirësojë sigurinë kufitare, duke lehtësuar njëkohësisht lëvizjen e qytetarëve dhe aktivitetin e bizneseve në pikat kufitare të vendit.




Comments are closed.