Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ku në fokus të diskutimeve ishte ecuria e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe hapat e mëtejshëm drejt përmbylljes së negociatave.
Gjatë takimit, palët analizuan progresin e Shqipërisë pas publikimit të Raportit të Progresit 2026, shqyrtuan udhërrëfyesin e negociatave dhe diskutuan mbi ecurinë e zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ministri Hoxha theksoi se Shqipëria ka krijuar një momentum të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian, por nënvizoi se tashmë është e nevojshme që ky progres të shoqërohet me rezultate konkrete dhe të matshme.
“Tani është koha që këtë momentum ta përkthejmë në rezultate të matshme, të vijojmë me mbylljen e kapitujve dhe t’i shndërrojmë angazhimet në reforma, e reformat në anëtarësim”, deklaroi Hoxha.
Kreu i diplomacisë shqiptare vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë me Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së, si një element kyç për përshpejtimin e reformave dhe përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i negociatave.
Sipas tij, ruajtja e ritmit të deritanishëm dhe zbatimi i angazhimeve të ndërmarra mbeten prioritete në këtë fazë të procesit të anëtarësimit.
Në përfundim të takimit, Hoxha falënderoi Komisioneren Marta Kos për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe angazhimin për një proces zgjerimi të besueshëm, të bazuar në meritë dhe në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.
Ministri theksoi gjithashtu se zgjerimi i Bashkimit Evropian përbën një investim strategjik për të ardhmen e përbashkët evropiane, duke rikonfirmuar angazhimin e Shqipërisë për të vijuar reformat dhe për të përparuar drejt anëtarësimit të plotë në BE.


