Costa: Zgjerimi i BE-së duhet të përshpejtohet

18 Nov 2026 • 15:08
Shpërndaje:

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, ka bërë thirrje për përshpejtimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, duke e cilësuar atë një prioritet strategjik për sigurinë, ekonominë dhe të ardhmen e kontinentit.

Gjatë fjalës së tij në Forumin e Zgjerimit, Costa theksoi se integrimi i vendeve kandidate përfaqëson një investim në prosperitetin e përbashkët europian.

“Që nga fillimi i mandatit tim, e kam bërë zgjerimin një prioritet strategjik. Ky proces krijon mundësi për qytetarët dhe bizneset, zgjeron tregjet tona, forcon modelin tonë social dhe rrit kapacitetin për t’iu përgjigjur goditjeve globale”, deklaroi ai.

Reklamë Ola

Costa solli si shembull zgjerimin e vitit 2004, duke theksuar se anëtarësimi i vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore ka sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike.

Sipas tij, ekonomia e përbashkët europiane është rritur me mbi 2 trilionë euro, ndërsa shtetet e reja anëtare kanë kontribuar në krijimin e 26 milionë vendeve të punës.

Reklamë InterMedika

Costa: Përfitimet duhet të nisin përpara anëtarësimit

Presidenti i Këshillit Europian nënvizoi rëndësinë e integrimit gradual, duke theksuar se vendet kandidate duhet të përfitojnë nga afrimi me BE-në edhe përpara anëtarësimit të plotë.

Ai iu referua Paketës së Zgjerimit për vitin 2026, duke vlerësuar se procesi ka marrë një vrull pozitiv që duhet ruajtur.

“Humbja e këtij vrulli do të minonte pritshmëritë e qytetarëve dhe do të rrezikonte të ardhmen tonë të përbashkët”, paralajmëroi Costa.

Sipas tij, zgjerimi do të forconte gjithashtu aftësinë e Bashkimit Europian për të luftuar krimin e organizuar, migracionin e paligjshëm dhe ndërhyrjet e huaja.

Deklaratat vijnë në një periudhë kur Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 dhe konsiderohet ndër vendet që kanë shënuar përparim në procesin e integrimit, krahas Malit të Zi, Ukrainës dhe Moldavisë.