×
Wednesday, June 3, 2026

Ibrahimaj: Po analizojmë formulën e çmimeve të karburanteve, vendimi do të bazohet në vlerësimin ekonomik

June 3, 2026


Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qeveria po kryen një analizë të detajuar ekonomike për të vlerësuar nëse formula aktuale e përcaktimit të çmimeve të karburanteve nga Bordi i Transparencës duhet të ndryshohet.

Deklarata e ministres vjen pas kërkesave të kompanive importuese të hidrokarbureve, të cilat pretendojnë se metodologjia aktuale nuk reflekton kostot reale të importit dhe operimit. Operatorët e tregut kanë paralajmëruar gjithashtu se mund t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar dëmshpërblim, në rast se formula nuk rishikohet.

Sipas Ibrahimajt, formula ekzistuese u hartua në një periudhë të vështirë për tregun e hidrokarbureve, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e furnizimit të pandërprerë me karburant.

Ajo theksoi se marzhet e fitimit të përcaktuara nga Bordi i Transparencës janë bazuar në analiza të kostove të kompanive dhe janë konceptuar për të siguruar vijimësinë e aktivitetit të tyre, pa krijuar fitime shtesë përtej niveleve të arsyeshme.

“Ne kemi marrë kërkesën e sektorit të hidrokarbureve dhe po kryejmë analizën tonë për një vendimmarrje të mëtejshme. Nëse analiza ekonomike tregon se formula duhet të ndryshohet, atëherë do të marrim vendimin përkatës. Çështja e çmimit të karburanteve është shumë delikate, pasi prek drejtpërdrejt konsumatorët dhe bizneset. Për këtë arsye po tregojmë kujdes maksimal dhe po zhvillojmë një analizë të thelluar përpara çdo vendimi”, u shpreh ministrja.

Ibrahimaj nënvizoi se qeveria do të mbështetet te rezultatet e analizës ekonomike për të vendosur mbi çdo ndryshim të mundshëm, duke garantuar një balancë mes interesave të konsumatorëve dhe funksionimit normal të tregut.

Bordi i Transparencës për Hidrokarburet u riaktivizua më 26 mars dhe vazhdon të përcaktojë çmimet sipas formulës së vendosur gjatë krizës energjetike të vitit 2022, kur tregjet ndërkombëtare u përballën me luhatje të forta të çmimeve pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Autoritetet theksojnë se çdo vendim i ardhshëm do të synojë ruajtjen e stabilitetit të tregut dhe mbrojtjen e interesit publik, në një kohë kur çmimet e karburanteve mbeten një faktor me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi.




Comments are closed.