Ibrahimaj: Inteligjenca artificiale në çdo hallkë të administratës

02 Nov 2026 • 11:54
Shpërndaje:

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qeveria po punon për integrimin e inteligjencës artificiale në të gjitha hallkat e administratës publike, nga shërbimet për qytetarët dhe bizneset deri te proceset e brendshme të institucioneve.

Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Ibrahimaj tha se puna ka nisur prej disa muajsh. Synimi, sipas saj, është që deri në vitin 2030 Shqipëria të bëhet një vend lider dhe referencë për përdorimin e kësaj teknologjie në sektorin publik.

Dy komponentët e parë ku është përqendruar puna lidhen me hartimin e dokumenteve ligjore dhe përgatitjen e hapave për projektimin e buxhetit.

Reklamë Ola

Ministrja shpjegoi se objektivi shkon përtej gjenerimit të dokumenteve përmes inteligjencës artificiale. Qeveria synon të krijojë agjentë të IA-së që do të mbështesin proceset e politikëbërjes, duke shfrytëzuar të dhënat që disponon administrata publike.

Sipas Ibrahimajt, përdorimi i këtyre mjeteve do të mundësojë analiza më të thelluara në kohë më të shkurtër dhe do të ndihmojë institucionet të punojnë me më shumë efikasitet.

Reklamë InterMedika

“Përdorimi në çdo hallkë të administratës publike i inteligjencës artificiale do të bëjë që ne të kemi një administratë më inteligjente dhe më eficiente”, u shpreh ajo.