Diella me komanda zanore, Rama prezanton 19 shërbime për pensionistët

02 Nov 2026 • 11:04
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video që demonstron se si pensionistët mund të përdorin shërbimet e platformës “e-Albania” përmes komandave zanore, me ndihmën e asistentes virtuale Diella.

Sipas Ramës, asistenca përfshin gjetjen e shërbimit, orientimin e përdoruesit dhe plotësimin e formularëve.

“Të dashur prindër dhe gjyshër, tani mjafton t’i flisni Diellës dhe ajo ju ndihmon hap pas hapi, nga gjetja e shërbimit te plotësimi i formularëve e-Albania”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Reklamë Ola

Në videon e publikuar paraqiten tre shembuj: marrja e informacionit për pensionin, regjistrimi te mjeku i familjes dhe deklarimi i humbjes së pasaportës.

Nga kartela e pensionit te mjeku i familjes

Reklamë InterMedika

Në demonstrimin e parë, përdoruesi kërkon informacion për masën e pensionit. Diella e orienton drejt kartelës së pensionit, e cila paraqitet e gatshme për shkarkim.

Më pas, përmes komunikimit zanor, nis procedura për regjistrimin te mjeku i familjes. Përdoruesi përcakton qytetin dhe qendrën shëndetësore ku do të shqyrtohet kërkesa.

Si plotësohet deklarimi për pasaportën e humbur

Një tjetër shërbim i demonstruar është deklarimi i humbjes së pasaportës. Gjatë komunikimit, Diella shpjegon se shërbimi ofrohet pa pagesë dhe se vërtetimi përgatitet brenda tri ditësh.

Asistentja ndihmon në hapjen dhe plotësimin e formularit, duke vendosur automatikisht të dhënat personale dhe duke kërkuar informacion shtesë për dokumentin dhe rrethanat e humbjes.

Në fund, ajo sqaron se formulari është ende në proces plotësimi dhe se deklarimi dorëzohet vetëm pasi përdoruesi të shtypë butonin “Dërgo”.

Sipas postimit të Ramës, janë 19 shërbime që tashmë mund të përdoren më lehtë nga pensionistët përmes komandave zanore. Gjithashtu, pas aktivizimit të funksionit përkatës, hyrja në “e-Albania” mund të kryhet edhe me Face ID ose gjurmën e gishtit.