Periudha e përfitimit të bonusit të qirasë për personat që trajtohen nga shteti për shkak të moslegalizimit të ndërtimeve pa leje zgjatet nga tre në pesë vite.
Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, zgjatja zbatohet edhe për personat që e përfitonin bonusin përpara hyrjes së tij në fuqi.
Trajtimi lidhet me rastet kur ndërtimet përjashtohen nga legalizimi, ndër të tjera sepse preken nga projekte publike, cenojnë integritetin strukturor ose funksional të një ndërtese private apo rrezikojnë jetën, shëndetin dhe pasurinë.
Përjashtohen gjithashtu ndërtime me funksion social-ekonomik ose ndërtime të dyta, kur janë ngritur mbi truall privat të të tretëve, si dhe rastet kur ASHK-ja njoftohet për një vendim gjyqësor të formës së prerë që kërkon kthimin e objektit.
Për personat që plotësojnë kushtet e trajtimit, alternativat përfshijnë strehimin përmes Fondit të Banesave, bonusin e qirasë ose forma të tjera mbështetjeje. Ndryshimi i fundit zgjat në pesë vite afatin e bonusit.
Ndërkohë, sipas të dhënave të raportuara, ASHK-ja ka dhënë mbi 28 mijë vendime legalizimi në nëntë muaj, duke tejkaluar numrin e vitit 2025. Institucioni vijon verifikimet e ndërtimeve informale, me objektiv përfundimin e procesit deri në fund të vitit 2028.


