Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale, i cili redukton numrin e bashkive në Shqipëri nga 61 në 46. Organizimi i ri pritet të zbatohet në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, ndërsa 12 qarqet mbeten të pandryshuara.
Përmes dekretit, në mbështetje të nenit 84, pika 1, dhe nenit 93 të Kushtetutës, kreu i shtetit shpalli ligjin nr. 100/2026, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas ndarjes së re, 33 bashki mbeten të pandryshuara, ndërsa 28 të tjera përfshihen në riorganizim. Prej tyre, 15 humbasin statusin si bashki më vete dhe bashkohen me njësi të tjera vendore.
Bashkitë që përfshihen në riorganizim
Bashkitë që nuk do të funksionojnë më si njësi të veçanta janë Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Përrenjasi.
Ndër bashkimet e parashikuara janë:
- Fushë-Arrëzi me Pukën;
- Klosi me Matin;
- Rrogozhina me Kavajën;
- Dimali dhe Poliçani me Beratin;
- Cërriku dhe Belshi me Elbasanin;
- Përrenjasi me Librazhdin;
- Patosi me Fierin;
- Divjaka me Lushnjën.
Një administratë dhe një buxhet për çdo bashki
Me organizimin e ri, territori i vendit do të ndahet në 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative.
Çdo bashki do të ketë një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të vetëm. Qytetet përbërëse do të kenë rol në koordinimin administrativ dhe organizimin e shërbimeve.
Në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, qytetarët pritet të votojnë për kryetarët dhe këshillat bashkiakë sipas hartës së re.
Sipas argumentimit të reformës, riorganizimi synon përmirësimin e administrimit të territorit, menaxhimit të financave dhe ofrimit të shërbimeve publike. Mes objektivave renditen edhe forcimi i autonomisë financiare të pushtetit vendor dhe rritja e kapaciteteve administrative.
Ndryshimet synojnë gjithashtu përshtatjen e organizimit territorial me zhvillimet demografike dhe kërkesat e procesit të integrimit europian.


