I Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Lajčak, fillon mandatin më 1 Prill
Bruksel- Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borell ka propozuar zyrtarisht Miroslav Lajčak si të Dërguarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor për një periudhë 11 mujore nga 1 Prill 2020 deri 31 Mars 2020. Ky lajm është bërë i ditur nga Gazeta Express, e cila raporton se Borell ka dërguar një dokument vendeve anëtare në të cilën është specifikuar përmbajtja dhe kohëzgjatja e mandatit të Lajčak.
Ndërkohë zëdhënësi kryesor i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Peter Stano deklaroi për EWB.com, se duke qenë se është në proces, këto informacione nuk mund të konfirmohen.
“Mandati, nominimi dhe statusi i Përfaqësuesit Special të BE-së (EUSR) për Ballkanin Perëndimor aktualisht po diskutohet nga shtetet anëtare të BE-së. Ndërsa kjo procedurë po vazhdon, ne nuk mund të komentojmë për rezultatin e mundshëm, i cili do të komunikohet siç duhet, pasi shtetet anëtare të BE-së të marrin vendimin e tyre përfundimtar dhe të aprovojnë mandatin dhe emrin e EUSR-së të ardhshme ”, deklaroi Stano për EWB.
Megjithatë nëse do të konfirmohet Ministri i Jashtëm Sllovak, Presidenti Thaçi dhe qeveria e Kosovës kanë shprehur rezerva në lidhje me këtë emërim për shkak se Sllovakia është një nga vendet e BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Kujtojmë që spekulimet për të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian filluan kur Shtetet e Bashkuara emëruan Mathew Palmer dhe Richard Grenell si përfaqësuesit e tyre për rajonin dhe përkatësisht për dialogun Beograd-Prishtinë. Nga ai moment ka pasur edhe hamendësime në lidhje me kandidatin e mundshëm për këtë pozicion. Në nëntor në një artikull të europeanwesternbalkans.com u lakua edhe emri i Ministrit të Jashtëm Sllovak, Miroslav Lajčak. Ministria e Jashtme Sllovake nuk e përgenjështroi lajmin, madje u shpreh se një pozicion i tillë do të ishte i dëshirueshëm.
Eunews.al