Chris LaCivita, strategu amerikan që u angazhua nga Partia Demokratike e Sali Berishës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri, është vendosur në qendër të një polemike në Shtetet e Bashkuara për shkak të punës së tij në Republika Srpska të Bosnjë-Hercegovinës.
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar pas raportimeve se LaCivita dhe James Blair, dy figura të rëndësishme të aparatit të tij politik, kanë ofruar konsulencë për autoritetet e Republika Srpska në prag të zgjedhjeve të fundit. Trump paralajmëroi se do të ndërpresë bashkëpunimin me ta nëse konstatohet konflikt interesi.
“Chris LaCivita dhe James Blair janë konsulentë të jashtëm. Ata nuk punojnë për mua, përveçse si konsulentë të jashtëm”, deklaroi Trump, duke theksuar se nuk kishte dijeni për klientët e tjerë të tyre.
Presidenti amerikan shtoi se konsulentët janë të lirë të punojnë edhe për klientë të tjerë, por se do të kërkojë sqarime për angazhimet e tyre.
“Nuk kam dijeni se për kë tjetër punojnë, por do t’i pyes dhe, nëse ka konflikt, do t’i shkarkoj menjëherë”, tha Trump.
Reagimi erdhi pas raportimeve se LaCivita dhe Blair kishin udhëtuar në Republika Srpska, ku ofruan konsulencë për autoritetet e entitetit serb të Bosnjë-Hercegovinës përpara zgjedhjeve. Sipas raportimeve të cituara nga Reuters, dy konsulentët janë njëkohësisht të përfshirë në përpjekjet politike të Trumpit për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA.
Mediat amerikane raportojnë se angazhimi në Bosnjë u realizua përmes një firme ligjore në Uashington të kontraktuar nga qeveria e Republika Srpska dhe se LaCivita e Blair janë paguar me qindra mijëra dollarë secili. Dokumentet e raportuara në SHBA tregojnë gjithashtu se Republika Srpska ka shpenzuar miliona dollarë për lobistë dhe konsulentë të lidhur me rrethin politik të Trumpit.
Çështja ka tërhequr vëmendje edhe për shkak të lidhjeve të Milorad Dodikut me Moskën. Dodik njihet për marrëdhëniet e tij të afërta me presidentin rus Vladimir Putin dhe për qëndrimet separatiste në Bosnjë-Hercegovinë. Partia e tij, SNSD, doli forcë dominuese në Republika Srpska në zgjedhjet e fundit.
LaCivita është një emër i njohur edhe në politikën shqiptare. Ai u angazhua si strateg i Partisë Demokratike dhe Sali Berishës në fushatën për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, duke marrë pjesë edhe publikisht në aktivitetet elektorale të opozitës.
Polemika e fundit e vendos strategun amerikan nën një vëmendje të re, ndërsa Trump ka bërë të qartë se statusi i LaCivita-s dhe Blair-it është ai i konsulentëve të jashtëm dhe se vazhdimi i bashkëpunimit do të varet nga fakti nëse angazhimet e tyre të tjera krijojnë konflikt interesi.


