Hyland: Projekti i Kushnerit në Sazan do t’i japë Shqipërisë një pamje të re
Ish-këshilltari i presidentit amerikan Bill Clinton, Christopher Hyland, e cilësoi projektin e propozuar nga Jared Kushner për zhvillimin e ishullit të Sazanit si një mundësi të rëndësishme ekonomike dhe ndërkombëtare për Shqipërinë.
Në një intervistë për Euronews Albania, Hyland tha se ishulli ndodhet aktualisht në një gjendje të degraduar dhe se investimi, sipas tij, do të transformojë zonën përmes miliarda dollarëve financime.
“SHBA ka një histori të gjatë me Shqipërinë. Po të mos ishte presidenti Wilson, shpërbërja e Shqipërisë do të çonte në mos ekzistencën e saj. Mbështetësit amerikanë nuk kanë rreshtur së foluri për Shqipërinë dhe shqiptarët në administratat amerikane”, u shpreh ai.
Sipas Hyland, Shqipëria duhet të jetë e hapur ndaj investimeve të huaja, ndërsa theksoi se projekti i Kushnerit përfshin investitorë nga Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe vende të tjera.
“Sa i takon projektit të Kushner-it, ai është një projekt shumëkombësh nga SHBA, Arabia Saudite dhe investitorë që vijnë nga e gjithë bota. Shqipëria duhet të jetë e hapur për investimet”, tha ai.
Hyland u ndal edhe te aspekti mjedisor i projektit, duke deklaruar se mbështet mbrojtjen e zonave të mbrojtura, por shtoi se Sazani është aktualisht i rrënuar dhe investimi do ta transformojë.
“Askush nuk është më i shqetësuar për mbrojtjen e zonave të mbrojtura sa unë. Ishulli ku do të investohet është në një farë mënyre i rrënuar dhe investitorët do të derdhin miliarda dollarë për ta ndryshuar. Kjo është, në një farë forme, një dhuratë për Shqipërinë”, deklaroi ai.
Ai shtoi se gjatë vizitave në Shqipëri ka parë zhvillimin e turizmit në zonat e mbrojtura dhe u shpreh në favor të investimeve që, sipas tij, duhet të mbeten të aksesueshme edhe për qytetarët.
“Kam vizituar shumë parqe kombëtare të Shqipërisë dhe në këto pika ka hotele e resorte. Mbështes që këto investime të jenë të hapura për qytetarët, në mënyrë që edhe ata të mund t’i shijojnë”, përfundoi Hyland.







