Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti sot ambasadoren e Kanadasë në Shqipëri, Elissa Golberg, me të cilën diskutoi zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Hoxha e vlerësoi Kanadanë si vend mik, aleat në NATO dhe partner të besuar të Shqipërisë. Ai shprehu mirënjohjen për kontributin kanadez në konsolidimin demokratik dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
Gjatë takimit u evidentuan mundësitë për forcimin e lidhjeve mes qytetarëve, nxitjen e turizmit, tregtisë dhe bashkëpunimit ekonomik, duke u mbështetur te zgjerimi i marrëdhënieve dypalëshe në vitet e fundit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua përpjekjeve të përbashkëta për krijimin e Bankës për Mbrojtjen, Sigurinë dhe Qëndrueshmërinë. Mekanizmi financiar shumëpalësh synon të mbështesë zhvillimin e kapaciteteve dhe thellimin e bashkëpunimit në këto fusha.


