Fondi për Artin, deri në 10% të kursimeve nga tenderët për blerje veprash

29 Oct 2026 • 16:33
Shpërndaje:

Qeveria ka miratuar projektligjin për krijimin e Fondit Kombëtar për Artin, një mekanizëm financiar që synon të pasurojë koleksionet shtetërore përmes blerjes së veprave të artit, artefakteve dhe objekteve me vlera historike e kulturore.

Projektligji, i hartuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, parashikon që fondi të financohet me 10% të kursimeve nga procedurat e prokurimit publik të institucioneve të administratës shtetërore qendrore, të konsoliduara në buxhetin e shtetit.

Shuma konkrete që do t’i kalojë fondit çdo vit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me ligjin e buxhetit.

Reklamë Ola

Fondet do të përdoren për blerje në ankande kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë vepra e koleksione që ndodhen jashtë Shqipërisë.

Përzgjedhja do të bëhet nga ekspertë të fushës, me mbështetjen teknike të Galerisë Kombëtare të Arteve. Nisma synon ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë artistike kombëtare.

Reklamë InterMedika

Projektligji do t’i kalojë Kuvendit për shqyrtim dhe miratim. Nisja e zbatimit parashikohet në janar 2027, nëse miratohet nga Parlamenti.