Nufi mohon akuzat për trafik armësh: AAT nuk ka nisur prodhimin

29 Oct 2026 • 19:37
Shpërndaje:

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka hedhur poshtë akuzat e ngritura në emisionin “Plug” në Syri TV për trafik armësh, duke deklaruar se shoqëria AAT nuk ka nisur prodhimin e armatimit në Shqipëri dhe nuk ka kryer eksporte apo rieksporte në kuadër të projektit.

Në një reagim të gjatë, ministri e cilësoi raportimin si të pambështetur në fakte dhe akuzoi emisionin se kishte nxjerrë nga konteksti deklaratat e tij në Kuvend.

“Prona mbetet e shtetit”

Reklamë Ola

Nufi shpjegoi se KAYO është shoqëri shtetërore dhe se modeli i bashkëpunimit industrial parashikon kontributin e palës shtetërore sipas marrëveshjes, ndërsa partneri privat sjell investimin, teknologjinë, pronësinë intelektuale dhe njohuritë teknike.

Për AAT-në, ministri tha se shteti ka marrë përsipër vënien në përdorim të një objekti, pa ndryshuar pronësinë e tij.

Reklamë InterMedika

“Prona mbetet e shtetit. Investimi dhe teknologjia sillen nga partneri privat”, theksoi ai.

Sipas Nufit, projekti ndodhet ende në fazën e projektimit dhe përgatitjes së infrastrukturës teknike.

Sqarimi për deklaratën në Kuvend

Ministri iu referua edhe fjalës së tij në Parlament më 23 prill 2026, duke thënë se shprehja “combat proven”, që nënkupton teknologji të provuara në kushte reale luftimi, lidhej me produktet dhe patentat e partnerit teknologjik të AAT-së.

“Asnjëherë nuk kam deklaruar se këto armë po prodhoheshin në Shqipëri”, u shpreh Nufi.

Ai shtoi se bëhet fjalë për teknologji që partneri i huaj synon t’i transferojë për prodhim të ardhshëm në vend.

Duke kundërshtuar pretendimet për trafik, ministri deklaroi se AAT nuk ka kryer eksporte, paketime apo rieksporte armësh në kuadër të këtij projekti. Ai u kërkoi autorëve të emisionit të paraqesin dokumente transporti, transaksione dhe destinacione që mbështesin akuzat.

Nufi: Akuzat mund të dëmtojnë investimet

Sipas ministrit, akuza të pambështetura mund të cenojnë besimin e investitorëve, të vonojnë projektet dhe të rrezikojnë mundësitë e punësimit në Rubik dhe Mirditë.

Ai theksoi se industria e mbrojtjes, përfshirë licencimin, prodhimin, transportin dhe eksportin e produkteve ushtarake, u nënshtrohet ligjeve dhe kontrollit të autoriteteve kompetente.

Nufi pranoi gjithashtu se anëtarësimi në NATO nuk e përjashton nevojën për kontroll dhe transparencë, por këmbënguli se akuzat për veprimtari të paligjshme duhet të mbështeten në prova.

“Mund të kritikoni. Mund të pyesni. Mund të hetoni. Madje, është detyra juaj ta bëni! Por nëse akuzoni, provoni!”, deklaroi ministri.