Hoxha për zgjerimin e BE-së: Anëtarësimi nuk dhurohet, fitohet me reforma dhe rezultate

17 Oct 2026 • 12:26
Shpërndaje:

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka përshëndetur konkluzionet e Këshillit Europian për zgjerimin, duke theksuar se Shqipëria ndodhet përpara një mundësie historike për anëtarësim në Bashkimin Europian, të cilën nuk duhet ta humbasë.

Përmes një reagimi në platformën X, Hoxha vlerësoi riafirmimin e zgjerimit si një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Europës.

Sipas tij, vendimi i liderëve europianë është një sinjal i rëndësishëm për vendet kandidate, në një periudhë kur Bashkimi Europian synon të forcojë unitetin dhe rolin e tij ndërkombëtar.

Reklamë Ola

Ministri theksoi se Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për vijimin e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, dhe për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i negociatave.

“Progresi ynë do të matet dhe vlerësohet në bazë të punës, performancës dhe rezultateve tona”, shkroi Hoxha.

Reklamë InterMedika

Ai përshëndeti gjithashtu riafirmimin e parimit të meritës, sipas të cilit çdo vend kandidat përparon drejt anëtarësimit në bazë të rezultateve të veta.

“Nuk kemi qenë kurrë më afër realizimit të aspiratës europiane”

Në reagimin e tij, kreu i diplomacisë shqiptare e cilësoi momentin aktual si një mundësi historike për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

“Nuk kemi qenë kurrë më afër realizimit të aspiratës sonë më të madhe dhe më të qëndrueshme kombëtare, kërkesës së kahershme të të rinjve dhe të të gjithë shoqërisë shqiptare: Shqipëria në Europë”, deklaroi ai.

Hoxha nënvizoi se perspektiva e pranimit të vendeve të reja në BE po bëhet gjithnjë e më konkrete, por paralajmëroi se kjo mundësi kërkon përkushtim dhe përgjegjësi.

“Anëtarësimi nuk jepet. Ai fitohet vetëm përmes punës, reformave, rezultateve, përgjegjësisë dhe llogaridhënies”, theksoi ministri.

Sipas tij, Shqipëria ka dëshmuar se zotëron kapacitetet dhe vullnetin për të përmbushur kriteret e anëtarësimit, por nuk duhet të humbasë kohë në vijimin e negociatave.

Hoxha: Nuk duhet ta humbasim këtë moment

Ministri i Jashtëm paralajmëroi se mundësitë historike nuk mbeten të hapura përgjithmonë, ndaj Shqipëria duhet të shfrytëzojë mbështetjen e tanishme të Bashkimit Europian për zgjerimin.

“Dora e shtrirë e BE-së duhet të kapet fort, duke ecur krah për krah deri në anëtarësim”, u shpreh Hoxha.

Ai bëri thirrje që procesi i integrimit të vijojë pa vonesa, duke nxjerrë mësime nga e kaluara dhe duke ruajtur ritmin e reformave.

“Nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë që ky kapitull transformues i historisë sonë moderne, më i rëndësishmi për të tashmen dhe të ardhmen tonë, të bëhet historia e një shansi tjetër të humbur”, përfundoi ministri.

Reagimi i Hoxhës vjen pas miratimit të konkluzioneve të Këshillit Europian, ku liderët e BE-së ritheksuan se zgjerimi mbetet një përparësi strategjike, ndërsa përparimi i vendeve kandidate do të varet nga përmbushja e reformave dhe kriteret e anëtarësimit.