Trump reagon për shkarkimin e Kimberly Guilfoyle: U zhgënjeva nga ajo që lexova

16 Oct 2026 • 09:03
Shpërndaje:

Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar largimin e Kimberly Guilfoyle nga posti i ambasadores së SHBA-së në Greqi, duke shprehur zhgënjimin e tij pas raportimeve për shkelje të dyshuara gjatë ushtrimit të detyrës.

Në një intervistë për Newsmax, mbrëmjen e së enjtes, Trump u pyet nëse ish-ambasadorja mund të përballet me pasoja ligjore dhe nëse ai do të shqyrtonte mundësinë e një faljeje presidenciale.

“Nuk dua ta mendoj këtë. U zhgënjeva nga ajo që lexova dhe nuk kam folur me të”, deklaroi presidenti amerikan.

Reklamë Ola

Trump tha se e njeh Guilfoyle prej shumë vitesh, por u përpoq të distancohej nga marrëdhënia e tyre personale, duke theksuar se nuk kishin pasur një njohje shumë të afërt.

Ai përmendi gjithashtu martesën e saj të mëparshme me guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom.

Reklamë InterMedika

Pavarësisht kritikave, presidenti amerikan vlerësoi angazhimin diplomatik të Guilfoyle në Athinë.

“Ajo bëri një punë të mirë në Greqi si ambasadore. Është një person i aftë, por kur lexova ato që ishin shkruar, u habita dhe u zhgënjeva”, u shpreh Trump.

Reagimi vjen pasi Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Guilfoyle i ishte kërkuar të jepte dorëheqjen, pas raportimeve për sjellje të papërshtatshme dhe përfitime të dyshuara personale në këmbim të aksesit te zyrtarë të administratës amerikane.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, një prej pretendimeve lidhet me kërkesën e dyshuar për 100 mijë dollarë nga një donator politik, për të shlyer detyrime personale. Guilfoyle i ka mohuar akuzat.

Çështja ka ngritur pikëpyetje mbi veprimtarinë e saj gjatë mandatit diplomatik, ndërsa Trump nuk dha detaje të tjera për zhvillimet e mundshme ligjore.

Presidenti amerikan konfirmoi se nuk kishte komunikuar personalisht me Guilfoyle pas publikimit të pretendimeve.