New York Times: Më shumë aleatë të Trumpit ndihmuan qeverinë pro-ruse në Ballkan

16 Oct 2026 • 10:37
Shpërndaje:

Pavarësisht se është një territor i vogël dhe pak i njohur në hartën e botës, Republika Srpska ka arritur të përfshijë në muajt e fundit një numër të konsiderueshëm personash me lidhje të ngushta me nivelet më të larta të administratës së Donald Trumpit.
Kur qeveria pro-ruse e këtij territori ballkanik kërkoi ndihmë gjatë verës për një projekt energjetik, ajo iu drejtua një kompanie lobimi në Uashington, e cila ka lidhje me presidentin Trump, sipas katër personave të njohur me zhvillimet, të cilët kërkuan të mbeten anonimë për të diskutuar një marrëveshje të propozuar biznesi.
Kompania, Continental Strategy, ishte e gatshme të ofronte ndihmën e saj. Ndër partnerët e saj janë disa ish-zyrtarë të fushatës dhe administratës së Trumpit, si dhe Katie Wiles, vajza e shefes së kabinetit të presidentit, Susie Wiles.
Së shpejti, Katie Wiles shoqëroi një sipërmarrës energjetik nga Teksasi në Republika Srpska, për të shqyrtuar mundësinë e një partneriteti me qeverinë për ndërtimin e një gazsjellësi, sipas dy personave të informuar për udhëtimin.
Edhe sipërmarrësi ka lidhje me rrethin e Trumpit. Një prej kompanive të tij ka marrë investime nga djali i madh i presidentit, Donald Trump Jr., si dhe mbështetje nga administrata Trump.

Përtej projektit të gazsjellësit, të paktën gjashtë operativë politikë aktualë dhe ish-bashkëpunëtorë të Trumpit udhëtuan këtë muaj drejt Republika Srpskës për të ndihmuar qeverinë në prag të zgjedhjeve.
Mes tyre ishin Alex Garcia, partner në Continental Strategy, i cili punoi në fushatën e Trumpit në vitin 2024 dhe rekomandoi James Blair dhe Chris LaCivita-n, dy prej këshilltarëve kryesorë politikë të presidentit, për qeverinë e Republika Srpskës. Pjesë e këtij grupi ishte edhe Andrew H. Smith, një avokat i Trumpit, i cili kishte bashkëpunuar me dy këshilltarët për çështje që lidhen me zgjedhjet.

Përfshirja e Blair dhe LaCivita-s, të cilët gjithashtu udhëtuan drejt Republika Srpskës për zgjedhjet e këtij muaji, duket se shkaktoi zemërimin e Trumpit.
“Nëse ka konflikt, do t’i shkarkoj menjëherë!”, shkroi presidenti në rrjetet sociale, pasi The New York Times publikoi lajmin se Blair dhe LaCivita ishin paguar për të ofruar këshillim për qeverinë e Republika Srpskës.
Dy këshilltarët po drejtojnë fushatën e kushtueshme publicitare të operacionit politik të Trumpit, me synimin për të shmangur një fitore dërrmuese të demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit. Udhëtimi i tyre jashtë vendit, në një moment vendimtar të fushatës, u kthye në një çështje të nxehtë për republikanët, të cilët druhen se mund të humbasin kontrollin e Kongresit. Një zhvillim i tillë do ta dobësonte më tej Trumpin dhe do të rriste mundësinë që demokratët të nisnin sërish procedurat për shkarkimin e tij.

Reklamë Ola

Përfshirja e tyre në Republika Srpska ngriti gjithashtu çështje që tradicionalisht kanë irrituar Trumpin.
Presidenti amerikan ka reaguar vazhdimisht ndaj pretendimeve se është nën ndikimin e Rusisë. Ai gjithashtu nuk i ka pëlqyer asnjëherë rastet kur aleatët e tij përpiqen të përfitojnë financiarisht nga lidhjet me të.

Megjithatë, përfshirja e disa prej aleatëve të njohur të Trumpit në Republika Srpska nxjerr në pah gatishmërinë e interesave të së djathtës ekstreme në mbarë botën për të paguar shuma të konsiderueshme për t’u afruar me një president amerikan që ka sfiduar institucionet ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, ajo tregon gatishmërinë e personave në rrethin e Trumpit për të përfituar nga kjo dinamikë, pavarësisht rrezikut që të perceptohen si njerëz që shfrytëzojnë lidhjet e tyre me presidentin.

Reklamë InterMedika

Republika Srpska kontrollohet nga një parti pro-ruse, lideri i së cilës, Milorad Dodik, ka qenë për vite me radhë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara, përfshirë edhe gjatë mandatit të parë të Trumpit, për shkak të veprimeve që minonin Marrëveshjen e Dejtonit për paqen.

Kjo marrëveshje, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i dha fund luftimeve të përgjakshme ndëretnike të viteve 1990 mes boshnjakëve myslimanë, serbëve dhe kroatëve në ish-Jugosllavi. Ajo sanksionoi gjithashtu Republika Srpskën, territor me shumicë dërrmuese serbe dhe të krishterë, si një nga dy njësitë politike përbërëse të Bosnjë-Hercegovinës.

Pas një fushate të kushtueshme ndikimi, gjatë së cilës qeveria e Republika Srpskës pagoi disa aleatë të Trumpit, administrata amerikane hoqi sanksionet në fund të vitit të kaluar.

Qeveria e Republika Srpskës vazhdoi të shpenzonte shuma të mëdha për të fituar mbështetjen e Trumpit në prag të zgjedhjeve të këtij muaji në Bosnjë-Hercegovinë. Ajo u përpoq ta paraqiste territorin si një bastion të konservatorizmit të krishterë, që sipas saj ishte shënjestruar padrejtësisht nga demokratët në Shtetet e Bashkuara dhe nga institucioni ndërkombëtar që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

Sipas dokumenteve të depozituara në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së, në shkurt Republika Srpska nisi t’i paguante Continental Strategy 35 mijë dollarë në muaj. Kompania ishte themeluar nga një ish-ambasador i Trumpit.

Qeveria angazhoi gjithashtu Andrew H. Smith, avokat në studion ligjore Boies Schiller Flexner. Smith kishte punuar për fushatën e parë dhe administratën e parë të Trumpit, si dhe përfaqëson një prej kompanive të presidentit në procese gjyqësore civile, sipas dy personave të njohur me angazhimin.

Alex Garcia dhe Smith ndihmuan në përfshirjen e aleatëve të tjerë të Trumpit në këtë çështje.
James Blair dhe Chris LaCivita u paguan secili nga qindra mijëra dollarë nga Boies Schiller Flexner, studio ligjore që ka përfaqësuar Republika Srpskën, për angazhimin e tyre.

Partia pro-ruse e Dodikut fitoi bindshëm.
Në një fjalim gjatë festimit të fitores të dielën në mbrëmje, Dodik vlerësoi Trumpin për krijimin e klimës politike që, sipas tij, i mundësoi partisë së tij të triumfonte. Ai falënderoi gjithashtu presidentin rus, Vladimir V. Putin, për mbështetjen e tij.
Përveç Blair dhe LaCivita-s, në festë morën pjesë edhe Garcia dhe Smith, si dhe ish-mbledhësja e fondeve për Trumpin, Caroline Wren, dhe ish-këshilltari i fushatës së tij, Barry Bennett.

Wren dhe Bennett ishin ndër themeluesit e dy kompanive që, sipas dokumenteve të depozituara në Departamentin e Drejtësisë, kanë marrë të paktën 800 mijë dollarë për të lobuar në favor të qeverisë së Republika Srpskës gjatë mandatit të dytë të Trumpit.
Kompanitë punuan për heqjen e sanksioneve dhe ndërmjetësuan takime me zyrtarë të administratës Trump që merren me çështjet fetare.

Në një deklaratë, Wren tha se administrata Trump “i ka dhënë përparësi të madhe mbrojtjes dhe promovimit të të krishterëve në mbarë botën dhe nuk ka vend më të mirë për ta bërë këtë sesa Republika Srpska, ku të krishterët janë pro-Trump”.

Qeveria e Republika Srpskës, studioja ligjore Boies Schiller Flexner, Katie Wiles dhe Alex Garcia nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Muajin e kaluar, Garcia organizoi një takim në Shtëpinë e Bardhë mes shefes së kabinetit të Trumpit, Susie Wiles, dhe një zyrtari të lartë të Republika Srpskës, siç kishte raportuar më herët The New York Times.
Zyrtari, i cili është anëtar i partisë së Dodikut, publikoi fotografi nga takimi në rrjetet sociale, duke shkruar: “Po ndërtojmë miqësi të reja dhe po forcojmë ato të vjetrat”.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë dhe përfaqësues të Continental Strategy deklaruan se Katie Wiles nuk kishte asnjë rol në organizimin e takimit dhe se ajo nuk diskuton biznesin e saj me të ëmën.
Continental deklaroi gjithashtu se Katie Wiles nuk lobon pranë qeverisë amerikane në emër të asnjë klienti.
“Kompania respekton me përpikëri çdo kërkesë etike dhe ligjore”, tha Melissa Stone, zëdhënëse e saj.
Sipas Continental, udhëtimi i Katie Wiles në Republika Srpska në gusht kishte të bënte me ofrimin e mbështetjes për komunikimin strategjik të një kompanie amerikane.
Sipas tre personave që kanë dijeni për marrëveshjen, bëhet fjalë për TXC Energy LLC, një kompani me bazë në Teksas, e drejtuar nga John V. Calce.
Katie Wiles e shoqëroi Calce-n gjatë udhëtimit. Gjatë vizitës, ajo pozoi për një fotografi në një poligon qitjeje, duke mbajtur një pushkë, së bashku me ministrin e Brendshëm të Republika Srpskës, i cili është anëtar i partisë së Dodikut.
Në një postim në rrjetet sociale, i cili u ruajt dhe u shpërnda në internet nga një aktivist shqiptaro-amerikan dhe u raportua nga CBS News, Wiles shkroi se udhëtimi në Republika Srpska ishte “kryesisht punë + pak argëtim serioz!”.
Garcia ndodhej gjithashtu në Republika Srpska në atë periudhë.
Vizita e Calce-s u organizua nga Continental me kërkesë të qeverisë së Republika Srpskës. Qeveria e ftoi sipërmarrësin të shqyrtonte mundësinë e një partneriteti për ndërtimin e një gazsjellësi, i cili, sipas saj, do të sillte gaz natyror nga Kroacia në Ballkanin Perëndimor dhe do të thellonte lidhjet mes Republika Srpskës dhe Shteteve të Bashkuara, sipas tre personave të njohur me marrëveshjen.
Calce nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Nuk është e qartë nëse ai po e shqyrton ende projektin e gazsjellësit.
Lidhjet e tij me rrethin e Trumpit mund ta bëjnë atë një partner të lakmuar për qeveritë e huaja që synojnë të krijojnë marrëdhënie me njerëzit pranë presidentit amerikan.
Donald Trump Jr. zotëron një pjesë të vogël të aksioneve në një tjetër kompani të drejtuar nga Calce, America First Refining, sipas dy personave të njohur me investimin. Ky fakt ishte raportuar më herët nga ProPublica.
America First Refining ka të njëjtën adresë në Addison, Teksas, si TXC Energy.
Një zëdhënës i Donald Trump Jr. nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Në një postim në rrjetet sociale në mars, presidenti Trump mbështeti planet e America First Refining për ndërtimin e një rafinerie të re në Brownsville, Teksas, me një investim të madh nga një kompani indiane që ka bërë gjithashtu biznes me Trump Organization.
America First Refining dhe një kompani pararendëse i kanë paguar Continental Strategy 750 mijë dollarë për të lobuar pranë Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Energjisë lidhur me rafinerinë në Brownsville, si dhe për çështje që lidhen me “energjinë dhe zhvillimin industrial”, sipas dokumenteve të lobimit.
Në dokumentet përkatëse të lobimit për America First Refining, si lobist figuron Alex Garcia, por jo Katie Wiles.
Artikulli është shkruar nga Kenneth P. Vogel, gazetar i bazuar në Uashington, i cili heton ndërthurjen mes parasë, politikës dhe ndikimit/ The New York Times