Hoxha nga OKB: Ballkani përballë kërcënimeve të reja, përgjigjja duhet të jetë më shumë bashkëpunim

25 Sep 2026 • 15:08
Shpërndaje:

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka bërë thirrje nga Nju Jorku për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, duke e cilësuar atë një domosdoshmëri strategjike për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Hoxha mori pjesë në diskutimin mbi forcimin e bashkëpunimit rajonal, të zhvilluar në kuadër të kryesive rumune të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI) dhe Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Ministri shqiptar tha se Europa dhe rajoni po përballen me një mjedis gjithnjë e më të pasigurt, të karakterizuar nga lufta, kërcënimet hibride, sulmet kibernetike dhe presionet ekonomike.

Reklamë Ola

Sipas tij, përgjigjja ndaj këtyre sfidave duhet të jetë e qartë: “Më shumë bashkëpunim, jo fragmentim; më shumë dialog, jo konfrontim; dhe më shumë veprime praktike”.

Hoxha theksoi se bashkëpunimi rajonal nuk mund të shihet më vetëm si një element i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por si një instrument strategjik për përballimin e sfidave të përbashkëta.

Reklamë InterMedika

“Për Shqipërinë, bashkëpunimi rajonal mbetet një gur themeli i politikës sonë të jashtme dhe një investim strategjik në paqen, sigurinë, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës në tërësi”, deklaroi ai.

Kreu i diplomacisë shqiptare e lidhi forcimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit edhe me procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Sipas Hoxhës, lidhjet më të forta rajonale ndihmojnë në avancimin e perspektivës europiane, ndërsa vetë perspektiva e anëtarësimit në BE krijon një shtysë për reforma, bashkëpunim dhe lidhshmëri më të madhe mes vendeve.

“Besimi mundëson bashkëpunimin, bashkëpunimi forcon qëndrueshmërinë dhe qëndrueshmëria krijon mundësi për qytetarët tanë”, përfundoi ministri.