Hoti kërkon nga Bosnjë e Hercegovina heqjen e vizave për kosovarët



Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i ka kërkuar kryesuesit të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç, heqjen e vizave për kosovarët nga ana e BeH dhe hapjen e Zyrave Ndërlidhëse midis dy vendeve.
Referuar komunikatës nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, një kërkesë të tillë, Hoti e ka bërë nëpërmjet një bisede telefonike që ka pasur me Xhaferoviçin.
Kryeministri Hoti e ka falënderuar Xhaferoviçin për iniciativën e tij për njohjen e Republikës së Kosovës nga Bosnjë e Hercegovina, “ndërkohë që ka kërkuar vazhdimin e angazhimit të tij për heqjen sa më parë të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, me qëllim të realizimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit midis të dyja vendeve”.
“Kryeministri Hoti ka shprehur gatishmërinë e Qeverisës së Republikës së Kosovës për hapjen e Zyrave Ndërlidhëse midis të dyja vendeve si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe të kulturës”, bën të ditur komunikata.
Gjatë kësaj bisede, bashkë me kryeministrin Hoti ishin edhe zëvendësministri i Tregtisë e Industrisë, Ćerim Bajrami dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rasim Demiri.
Në shtator të këtij viti anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljko Komshiç deklaroi se ai dhe kryesuesi aktual Shefik Xhaferoviç votuan për njohjen e Kosovës në një nga dy seancat e jashtëzakonshme, ndërsa anëtari serb i Presidencës, Milorad Dodik, ishte kundër.
“Në seancën tjetër të jashtëzakonshme, ne morëm një vendim, 2:1, Xhaferoviç dhe unë, që BeH ta njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur. Sigurisht, duke marrë parasysh që Dodik ishte kundër kësaj, kjo duhet të jetë tema e diskutimit të radhës në seancën e Presidencës, sepse kështu është rregullorja”, ka shtuar Komshiç.
Eunews.al
