Hita pret ambasadorin holandez, vlerësohet bashkëpunimi në luftën kundër krimit ndërkufitar
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit priti sot ambasadorin e Holandës në Tiranë, si dhe oficerin e kontaktit të këtij shteti të atashuar pranë Policisë së Shtetit, në një takim ku u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm dhe u theksua nevoja për forcimin e mëtejshëm të tij.
Gjatë takimit, ambasadori Vos i dorëzoi Hitës letrën e urimit të dërguar nga homologja e tij, Drejtoresha e Policisë së Holandës, e cila në mesazhin e saj shpreh konsideratën e lartë për drejtuesin e ri të Policisë së Shtetit dhe i uron suksese në detyrën e tij.
Në letrën drejtuar Hitës, Knol vlerëson angazhimin e përbashkët të dy policive në luftën kundër krimeve ndërkufitare, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në forcim të vazhdueshëm dhe se bashkëpunimi pritet të zgjerohet më tej.
“Të dyja, Policia holandeze dhe Policia e Shtetit, bashkëndajnë angazhimin e lartë në luftën kundër krimeve ndërkufitare. Marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona po forcohen vazhdimisht dhe jam e bindur se, nën drejtimin tuaj, bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Holandës do të vijojë të prosperojë”, thekson Knol në letrën e saj.
Nga ana e tij, Hita falënderoi ambasadorin për vizitën dhe përcolli përmes tij vlerësimin dhe konsideratën reciproke për homologen holandeze, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit mes dy vendeve në fushën e sigurisë.
Ai theksoi se bashkëpunimi mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese në Holandë ka sjellë rezultate konkrete, veçanërisht në lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të kërkuar ndërkombëtarisht, si dhe në krijimin e skuadrave të përbashkëta hetimore.
Sipas Hitës, shkëmbimi në kohë reale i inteligjencës kriminale dhe bashkëpunimi në gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale janë elementë kyç që kanë forcuar efektivitetin e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë e plotë të Policisë së Shtetit për të thelluar më tej bashkëpunimin me partnerët holandezë, duke qenë e hapur ndaj çdo iniciative të re që do të propozohet në të ardhmen, përfshirë edhe përmes rolit të oficerit të kontaktit.
Nga ana e tij, ambasadori Vos vlerësoi vizionin e drejtuesit të ri të Policisë së Shtetit për ndërtimin e një institucioni modern, të besueshëm dhe pranë qytetarëve, duke garantuar mbështetjen e vazhdueshme të agjencive ligjzbatuese të Holandës për përmbushjen e objektivave të përbashkëta.
Në fokus të takimit ishte gjithashtu forcimi i partneritetit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, si dhe rritja e sigurisë përmes bashkëpunimit të bazuar në besim reciprok mes dy vendeve.







