Hapen aplikimet për Skemën Kombëtare në bujqësi, mbi 5 mijë fermerë aplikojnë brenda pak orësh
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur zyrtarisht aplikimet për Skemën Kombëtare të mbështetjes për fermerët, e cila këtë vit vjen me një fond prej 5.2 milionë lekësh. Interesi ka qenë i menjëhershëm, pasi vetëm në orët e para nga hapja e aplikimeve janë regjistruar mbi 5 mijë aplikime.
Gjatë një konference për shtyp, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, theksoi se numri i lartë i aplikimeve në një kohë kaq të shkurtër tregon besimin e fermerëve ndaj kësaj skeme dhe mundësisë për të përfituar prej saj.
“Deri tani janë mbi 5 mijë aplikantët e parë brenda një kohe shumë të shkurtër orari dhe ka një interes ndaj skemës kombëtare edhe për ta vënë në dispozicion, siç ne e kemi vendosur në 12 masa ndaj skemës kombëtare”, u shpreh Salla.
Sipas tij, skema është strukturuar në 12 masa konkrete mbështetëse, të cilat synojnë të nxisin prodhimin bujqësor, të rrisin cilësinë e produkteve vendase dhe të përmirësojnë konkurrueshmërinë e sektorit në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.
Në lidhje me programin IPARD III, ministri bëri të ditur se Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet procedurale dhe ligjore, ndërsa tashmë pritet vendimmarrja nga institucionet e Bashkimit Europian për vijimin e financimit.
“Kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë, të gjitha procedurat ligjore që na takojnë në bashkërendim me Brukselin, me Ministrinë e Financave dhe procedurat që ne kemi nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë, AZHBR dhe atyre çfarë ne duhet të depozitojmë. Kemi çuar të gjithë dokumentacionin dhe mbetet në vlerësimin e Komisionit për ta vlerësuar dhe për të ecur ne në një hap tjetër në IPARD III”, deklaroi Salla.
Gjatë fjalës së tij, ai u bëri thirrje fermerëve shqiptarë që të bashkëpunojnë dhe të organizohen në forma të përbashkëta, duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë mund të rritet vlera dhe konkurrueshmëria e produkteve “Made in Albania” në tregjet europiane.
Skema Kombëtare konsiderohet një ndër instrumentet kryesore të mbështetjes direkte për fermerët, ndërsa autoritetet synojnë që përmes saj të forcojnë zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe të rrisin eksportet e produkteve vendase.







