– Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres deklaroi se është shumë e rëndësishme që Europa të ketë një politikë të përbashkët të migracionit.
“Asnjë vend në Europë nuk mund ta zgjidhë i vetëm këtë sfidë (migracionin). Është shumë e rëndësishme që Europa të ketë një politikë të përbashkët të migrimit. Për këtë kemi nevojë për një qasje të re në çështjen e migracionit”, Theksoi Guterres në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Parlamentit Europian David Sassoli.
“Nëna ime është 97 vjeçe. Siç mund ta imagjinoni ka probleme serioze. Në shtëpinë tonë në Lisbonë ne ofrojmë mbështetje 24 orë për nënën. Kur shikoj ata që e mbështesin atë, nuk shoh shumë portugezë”, theksoi Guterres, duke shtuar se migracioni është i nevojshëm dhe një element shumë i rëndësishëm.
“Kjo mund të jetë e mundur vetëm me bashkimin e vendeve europiane”, nënvizoi Guterres duke uruar që migracioni të jetë një preferencë dhe jo një nevojë.
“Të gjitha shoqëritë tona po bëhen multietnike, multifetare dhe multikulturore. Kjo është një pasuri dhe jo kërcënim”, tha Guterres i cili vuri në dukje se duhet të bëhet një investim i madh në integrimin social.
Eunews.al


