×
Tuesday, June 23, 2020

Grupi Social demokrat i PE / Parlamenti i ri serb është një tallje ndaj demokracisë. Do të ketë ndikim në procesin e zgjerimit

June 23, 2020

Pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, Grupi Socialist dhe Demokratët në Parlamentin Evropian u bënë thirrje shteteve anëtare të BE-së që të mos hapin kapituj të rinj në negociatat e pranimit me Serbinë përpara se demokracia të rikthehet në vend. Ndonëse Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varlehyi, në përfundim të procesit të zgjedhjeve parlamentare në Serbi shprehu gadishmërinë për të vazhduar bisedimet me qeverië e re Serbe për reformat e kërkuara nga BE,

Nënkryetarja për punët e jashtme në Parlamentin Evropian Kati Piri duket se nuk ndan të njëjtin mendim. Sipas saj “Këto zgjedhje nuk ishin përfaqësuese dhe kam frikë se nuk do të ndryshojnë erozionin e shtetit të së drejtës në vend. Kjo nuk duhet të jetë e mundur në një vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Ne i bëjmë thirrje Komisionit Evropian që zhvillon bisedimet e pranimit që të analizojnë me të vërtetë ato që kanë shkuar keq dhe të nxjerrin përfundimet e tij.” Në deklaratën e Piri duket qartë që Komisioni Evropian duhet të analizojë të gjithë problematikat me systemin politik në vend.

Për më tepër ajo propozon edhe një ndalje të procesit të integrimit nëse shikohet e arsyeshme “Asnjë kapitull i ri nuk duhet të hapet me Serbinë nga Këshilli përpara se problemet të mëdha me demokracinë të zgjidhen në vend. Si minimum, ne kemi nevojë për media të lira dhe një parlament të larmishëm, ku përfaqësohet opozita. Unë u trondita kur pashë që Komisioneri Várhelyi në deklaratën e natës së kaluar nuk tha asnjë fjalë të vetme për këto probleme, as për kërkesën e opozitës për të shtyrë zgjedhjet në një datë të mëvonshme” citohet të ketë deklaruar ajo.

Edhe zëdhënësi i komitetit për çështje të jashtme të S&D, Tonino Picula bashkëndan shqetësimet e Kati Piri duke deklaruar se “Grupi S&D do të mbajë kontakte të ngushta me partitë tona motra që bojkotuan zgjedhjet. Asnjëherë nuk jemi në favor të një bojkoti dhe mendojmë se debati politik duhet të ndodhë në Parlament. Sidoqoftë, me këtë bojkot nga partitë kryesore të opozitës dhe dështimin e ndonjë opozite për të hyrë në parlament, megjithë uljen e pragut në 3% pak para zgjedhjeve, Parlamenti në Serbi ka humbur rolin e tij si një organ legjislativ që përfaqëson tërë Serbinë shoqëria.”

Picula është kritik edhe ndaj Partisë Popullore Evropiane për mbështetjen e ofruar ndaj qeverisë së Vuçiç “ndërsa ai po e ktheu vendin në autokraci”. Ai e mbyll deklaratën e tij duke i bërë thirrje PPE “të rishikojë përfundimisht anëtarësimin e partisë së Vuçiçit. “

Tanja Fajon, eurodeputetja e S&D dhe kryetari i delegacionit të PE për marrëdhëniet me Serbinë, shtoi se  “Niveli i demokracisë pas zgjedhjeve në Serbi është përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme, e lëre më situatën e lirisë së mediave. Ne nuk kemi më një opozitë parlamentare, e cila vë në dyshim legjitimitetin e tërë punës së parlamentit të ri.”

Edhe procesi zgjedhor sipas saj ka pasur problematika por “për shkak të pandemisë COVID-19, kishte vetëm një mision të kufizuar të monitorimit të OSBE / ODIHR dhe Parlamenti Evropian nuk mund të dërgonte mision që të vëzhgonte zgjedhjet. Sipas vëzhguesve lokalë, parregullsitë zgjedhore janë regjistruar në pesë përqind të vendvotimeve, që është më e lartë se përqindja e parregullsive në zgjedhjet presidenciale parlamentare të vitit 2016 dhe 2017. Pjesëmarrja ka qenë gjithashtu më e ulët se 4 vjet më parë, duke qëndruar nën 50%, megjithë presionin e qeverisë për të marrë pjesë.”

Fajon e mbyll deklaratën e saj duke bërë thirrje për gjetjen e metodave të reja për të përfshirë opozitën në raundin e rradhës së Dialogut Ndër-Partiak të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për