×
Monday, November 4, 2024

Greqia mbështet rrugën evropiane të Kosovës

April 20, 2021


Greqia e mbështet Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe në rrugën e saj evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë, ambasadorja Chryssoula Aliferi, udhëheqëse e Zyrës ndërlidhëse të Athinës në Prishtinë.

Por, pozicioni i Greqisë karshi pavarësisë së Kosovës, “mbetet i pandryshuar”, shtoi Aliferi.

Greqia, tha ajo, mbështet konsolidimin e paqes, demokracisë, stabilitetit, sigurisë, zhvillimit ekonomik si dhe sundimin e ligjit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Në këtë sfond, Greqia ka qenë një mbështetëse e fuqishme e perspektivës evropiane për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Prishtinën, si dhe dialogun ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit nën ndërmjetësimin e BE-së”, tha Aliferi.

Aliferi po ashtu përsëriti se Athina zyrtare e ka ftuar ministren e re të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvallën për vizitë zyrtare në Greqi dhe se “data për këtë do të caktohet me kohë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi me Aliferin më 15 prill, kishte kërkuar që Greqia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Greqia është në mesin e pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Sipas një liste të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kosovën deri më tani e kanë njohur 117 shtete.

Shteti i fundit që ka njohur Kosovën është Izraeli dhe të dyja shtetet, zyrtarisht, vendosën marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt.

Njohja nga Izraeli derivon nga Marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje u arrit më 4 shtator, 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Sipas kësaj marrëveshjeje, veç tjerash, Serbia është zotuar që të ndërpresë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, ndërkaq Kosova është zotuar se nuk do të kërkojë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare për një periudhë njëvjeçare./RAL

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments