Ish-ministri britanik i Financave, George Osborne, ka deklaruar se ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar ka “rënë nga një shkëmb” pas Brexit-it dhe se rikthimi në bashkimin doganor të Bashkimit Evropian do të ishte rruga më e shpejtë drejt rimëkëmbjes.
Në një intervistë për gazetën The Independent, Osborne e cilësoi largimin e Britanisë nga BE-ja një dështim që ka dëmtuar ndjeshëm ekonominë dhe tregtinë e vendit.
“Brexit ka qenë një rrëmujë. Britania praktikisht ka rënë nga një shkëmb. Ka pasur një ndikim të madh në ekonominë britanike. Është qartësisht më e varfër nga sa do të ishte nëse nuk do të kishte ndodhur”, deklaroi ai.
Osborne, i cili shërbeu si ministër i Financave në qeverinë e ish-kryeministrit David Cameron, ishte një prej mbështetësve kryesorë të qëndrimit të Britanisë në Bashkimin Evropian gjatë fushatës së referendumit të vitit 2016.
Ai pranoi se rikthimi i plotë në BE do të ishte politikisht dhe praktikisht i vështirë, rreth një dekadë pas referendumit. Megjithatë, sipas tij, rivendosja e lidhjeve më të ngushta ekonomike me Evropën do t’i jepte një shtysë të menjëhershme ekonomisë britanike.
Si hap konkret, Osborne propozoi ribashkimin e Mbretërisë së Bashkuar me bashkimin doganor të BE-së, çka do të reduktonte pengesat dhe kontrollet në tregtinë e mallrave.
“Do të ribashkohesha me bashkimin doganor. Është një gjë mjaft e thjeshtë për t’u bërë”, u shpreh ish-kancelari.
Sipas tij, largimi nga bashkimi doganor nuk ishte shpjeguar qartë gjatë fushatës për referendumin dhe shumë qytetarë nuk e kishin kuptuar se vota për Brexit do të sillte edhe daljen nga ky mekanizëm tregtar.
“Kjo nuk ishte kurrë pjesë e debatit për Brexit-in. Askush nuk e dinte se po largoheshim prej tij dhe kjo ka pasur një ndikim shkatërrues në tregti”, theksoi Osborne.
Deklaratat e tij rikthejnë debatin mbi marrëdhëniet e ardhshme mes Londrës dhe Brukselit, ndërsa ekonomia britanike vazhdon të përballet me pasojat e barrierave të reja tregtare dhe dobësimin e lidhjeve me tregun evropian.


