Gonzato magjistratëve të rinj: Integriteti dhe ndershmëria ndërtojnë besimin te drejtësia
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, u bëri thirrje magjistratëve të rinj të ushtrojnë detyrën me integritet, ndershmëri dhe guxim, duke theksuar se çdo vendim i tyre do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në besimin ndaj sistemit të drejtësisë.
Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën Kombëtare të Ndërveprimit të Drejtësisë me Mediat, Gonzato vlerësoi rolin e Shkollës së Magjistraturës dhe ritheksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për reformën në drejtësi.
“Prania ime këtu tregon mbështetjen tonë për Shkollën e Magjistraturës dhe rëndësinë që ajo ka. Festime dhe ceremoni të tilla janë momente lumturie. Është fantastike që gjithçka përfundoi, por është edhe një moment që shënon një tranzicion në jetën tuaj”, tha ambasadori.
Ai theksoi se gjyqtarët dhe prokurorët e rinj do të mbajnë pozicione me përgjegjësi të lartë, duke ofruar një shërbim publik me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët.
“Çdo vendim që ju do të merrni do të ndikojë në jetën e qytetarëve. Ai do të përcaktojë edhe besimin që ata do të kenë te sistemi i drejtësisë, i cili është themelor në kontratën sociale”, u shpreh Gonzato.
Sipas tij, ushtrimi i profesionit kërkon integritet, ndershmëri, guxim dhe përulësi, ndërsa theksoi se arritja e standardeve evropiane nuk realizohet vetëm përmes ligjeve, por edhe përmes punës së përditshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Institucionet nuk krijohen vetëm nga ligjet dhe rregulloret. Ato kërkojnë edhe ndryshim kulture dhe mendësie. Unë ende nuk jam i bindur se ky ndryshim mendësie është arritur. Është në dorën tuaj. Jeni ju brezi i ri që duhet të përmbushni këto pritshmëri, duke siguruar që drejtësia të ofrohet në kohë dhe me cilësi”, deklaroi ai.
Në përfundim, ambasadori garantoi se Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë Shkollën e Magjistraturës dhe institucionet e drejtësisë në Shqipëri në procesin e përafrimit me standardet evropiane.







