×
Thursday, May 7, 2026

Gogu: Reforma në drejtësi kërkon kohë, sfida mbetet ruajtja e besimit

May 7, 2026


Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, foli për reformën shqiptare në drejtësi si pjesë e debatit global mbi sundimin e ligjit, gjatë sesionit hapës të aktiviteteve për Kongresin Botëror të Ligjit që do të mbahet vitin e ardhshëm në Tirana.

Në një fjalim me tone reflektuese, Gogu theksoi se “sundimi i ligjit nuk ndërtohet njëherë e përgjithmonë”, duke nënvizuar se sfida kryesore sot nuk është vetëm ngritja e institucioneve, por ruajtja e besimit të qytetarëve tek to.

Duke e vendosur Shqipërinë në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar, ai u ndal te prirjet globale, ku sipas tij, në më shumë se gjysmën e vendeve treguesit e sundimit të ligjit kanë shfaqur stanjacion ose përkeqësim, ndërsa demokracitë po përballen me presione në rritje.

Në këtë panoramë, Gogu e cilësoi Shqipërinë si një rast të veçantë, duke theksuar vendosmërinë për reforma edhe përballë sfidave dhe skepticizmit. “Shqipëria përfaqëson diçka që sot nuk është e zakonshme: vendosmërinë për të reformuar veten”, u shpreh ai.

Duke iu referuar reformës së vitit 2016, ministri theksoi se ajo nuk ishte thjesht një ndërhyrje teknike, por një ndryshim thelbësor në marrëdhënien mes pushtetit dhe ligjit, duke synuar ndërtimin e një sistemi që funksionon përmes institucioneve të pavarura.

Ai vuri në dukje se procesi i reformës është shoqëruar me debat të fortë publik, duke e cilësuar këtë si një element të domosdoshëm të transformimit. “Drejtësia nuk ndërtohet fshehurazi. Ajo ndërtohet në sytë e publikut dhe përmes besimit të tij”, deklaroi Gogu.

Në përfundim, ai theksoi se shteti i së drejtës është një proces i vazhdueshëm që kërkon institucione të forta, shoqëri aktive dhe vullnet politik për të vijuar reformat.

Sesioni hapës shënon nisjen e një serie aktivitetesh që do të kulmojnë me organizimin e Kongresit Botëror të Ligjit në Tiranë në vitin 2027, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të diskutimeve ndërkombëtare për drejtësinë dhe demokracinë.




Comments are closed.