SHBA miraton strategjinë e re kundër terrorizmit: Evropa cilësohet “inkubator” i ekstremizmit
Shtetet e Bashkuara kanë hartuar një strategji të re kundër terrorizmit, në të cilën Evropa përshkruhet si një rajon me rreziqe të shtuara për sigurinë, sipas administratës së Presidentit Donald Trump.
Dokumenti i ri i administratës amerikane e lidh rrezikun e terrorizmit në Evropë me migracionin masiv dhe politikat aktuale të hapjes së kufijve, duke pretenduar se këto kushte favorizojnë aktivitetet e grupeve ekstremiste të dhunshme.
Në strategji theksohet gjithashtu një zgjerim i fokusit të SHBA-së për të përfshirë jo vetëm kërcënimet e zakonshme terroriste, por edhe atë që e cilëson si “ekstremizëm i dhunshëm i krahut të majtë”, ku përmenden grupe anarkiste dhe antifashiste, si dhe organizata të lidhura me çështje sociale dhe identitare.
Po ashtu, dokumenti vendos në qendër të vëmendjes edhe kartelet e drogës në Amerikë, duke i trajtuar si pjesë të rëndësishme të luftës kundër terrorizmit.
Sipas strategjisë, grupet e organizuara kriminale dhe politike “shfrytëzojnë kufijtë e hapur dhe politikat globale”, ndërsa paralajmërohet se vazhdimi i këtyre politikave në Evropë mund të rrisë më tej rreziqet e terrorizmit.
Dokumenti shkon më tej duke i bërë thirrje Evropës të ndryshojë qasjen e saj ndaj migracionit dhe sigurisë, duke argumentuar se kontinenti duhet të veprojë për të ndalur, siç thuhet, “rënien e qëllimshme” të strukturës së tij sociale dhe institucionale.
Në këtë kontekst, strategjia e re vjen në vazhdën e deklaratave të mëparshme të administratës Trump, e cila ka kritikuar shpesh politikat evropiane të migracionit dhe ka paralajmëruar për pasoja afatgjata në sigurinë ndërkombëtare.







