Cremades: Tirana u zgjodh për Kongresin Botëror të Ligjit falë reformës dhe aspiratës për BE
Presidenti i Shoqatës Botërore të Juristëve dhe i Fondacionit Botëror të Ligjit, Javier Cremades, deklaroi në sesionin hapës të Kongresit Botëror të Ligjit se Tirana është zgjedhur si qendër e këtij eventi për shkak të reformës në drejtësi dhe aspiratës së vendit për integrim në Bashkimin Evropian.
Gjatë fjalës së tij, Cremades theksoi se bota po përballet me sfida të reja, ku autokracitë po depërtojnë në demokraci, ndërsa këto të fundit po shfaqin shenja dobësimi dhe mosfunksionimi.
Ai nënvizoi se një nga sfidat kryesore të kohës është aksesi tek e vërteta në epokën digjitale, duke paralajmëruar se pa të vërtetën nuk mund të ketë as liri reale dhe as sundim të ligjit. Sipas tij, sistemi i drejtësisë është gjithashtu nën presion, ndërsa gjyqtarët po perceptohen gjithnjë e më shumë si aktorë politikë.
“Në fakt ka tre sfida kryesore, njëra është aksesi tek e vërteta. Është shumë e vështirë që sot në botën digjitale t’i detyrojmë qytetarët që të jenë të mirinformuar për realitetin, dhe pa të vërtetën nuk mund të krijohet liria e vërtetë dhe sundimi i ligjit. Gjyqtarët janë sulmuar dhe po sulmohen kudo dhe në vendet demokratike. Mund të themi se drejtësia është në një rrethim”, tha ai.
Duke shpjeguar arsyet e përzgjedhjes së Shqipërisë, Cremades vlerësoi harmoninë fetare dhe orientimin e fortë drejt BE-së.
“Pse u zgjodh Shqipëria? Sepse mund të mësojmë prej jush. Këtu jetojnë besime të ndryshme në harmoni dhe ekziston një aspiratë e përbashkët për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo ju bën kandidatin perfekt”, u shpreh ai.
Ai theksoi se reforma në drejtësi në Shqipëri është një faktor kyç që ka ndikuar në këtë vendim, duke e konsideruar atë si një shembull transformimi institucional.
Cremades paralajmëroi se Tirana do të presë një numër të madh personalitetesh ndërkombëtare të drejtësisë, duke e krahasuar ngjarjen me “Lojërat Olimpike” e fushës juridike.
Sipas tij, Shqipëria ka potencialin të shndërrohet në “kryeqytetin e sundimit të ligjit”, ndërsa zbuloi edhe idenë për ndërtimin e një statuje simbolike kushtuar sundimit të ligjit, të ngjashme me atë në Republika Dominikane.
Në përfundim, ai theksoi se këto kongrese nuk mbështesin qeveri të caktuara, por institucionet dhe qytetarët, duke nënvizuar rëndësinë e lidhjes mes shoqërisë dhe sistemit të drejtësisë për funksionimin e një shteti të së drejtës.







