×
Thursday, May 7, 2026

Kongresi Botëror i Ligjit në Tiranë – Rama: “Reforma në drejtësi, rrugë pa kthim”

May 7, 2026


Në Tiranë u mbajt sot sesioni i hapjes së Kongresit Botëror të Ligjit, i cili pritet të zhvillohet në kryeqytetin shqiptar vitin e ardhshëm, duke mbledhur rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të vendeve të ndryshme të botës.

Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë Toni Gogu theksoi sfidat e demokracisë dhe rëndësinë e forcimit të institucioneve të drejtësisë.

“Jetojmë në një kohë kur demokracia është duke u vendosur në provë. Duhet të bëjmë çdo gjë që drejtësia të jetë më e fortë se qeveria. Nuk është e lehtë të reformosh vetveten. Kjo nuk bëhet sa hap e mbyll sytë, por kërkon kohë. Sfida më e madhe e kohës sonë është të ruajmë besimin te drejtësia”, tha Gogu.

Ai shtoi se mbajtja e Kongresit në Tiranë është dëshmi e progresit institucional të vendit dhe e rëndësisë së reformës në drejtësi.

Nga ana tjetër, Presidenti i Shoqatës Botërore të Juristëve, Javier Cremades, vlerësoi përzgjedhjen e Shqipërisë si vend mikpritës të këtij eventi ndërkombëtar.

“Pse u zgjodh Shqipëria? Sepse është vend me shumë besime dhe një shoqëri nga e cila mund të mësosh. Vendi juaj aspiron Bashkimin Europian dhe kjo është e lidhur drejtpërdrejt me sundimin e ligjit. Tirana do të jetë kryeqyteti i sundimit të ligjit”, u shpreh ai.

Në vijim, Kryeministri Edi Rama e cilësoi organizimin e Kongresit si një moment të rëndësishëm për vendin dhe për procesin e reformës në drejtësi.

“Ky është një moment prekës, sepse Shqipëria bëhet pjesë e një aktiviteti me prestigj botëror. Një botë që udhëhiqet nga ligji dhe jo nga forca është shoqëria ideale që synon njerëzimi”, tha Rama.

Ai kujtoi reformën në drejtësi dhe procesin e vetting-ut, duke theksuar mbështetjen e qytetarëve dhe sfidat e besimit në sistem.

“Më shumë se 90 përqind e shqiptarëve e donin vetting-un, por mbi 80 përqind nuk besonin se do të shihnin një drejtësi të fortë. Ne e nisëm këtë rrugë duke vendosur që pushteti të dorëzojë shpatën e drejtësisë”, deklaroi ai.

Kryeministri shtoi se reforma në drejtësi do të vazhdojë pavarësisht kostove dhe se kthimi pas nuk është opsion.

“Kjo reformë nuk do të lejojë kthim mbrapa. Kongresi i vitit 2027 është një stacion i rëndësishëm ku Shqipëria duhet të shkojë me një angazhim të ripërtërirë për të ardhmen”, u shpreh Rama.

Kongresi Botëror i Ligjit 2027 pritet të sjellë në Tiranë një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, duke e kthyer kryeqytetin në një qendër globale diskutimi mbi sundimin e ligjit.




Comments are closed.