×
Thursday, May 7, 2026

Nis programi “Pas Shkolle” në Tiranë, Kumbaro: nxënësit zhvillojnë talentet pas orarit mësimor

May 7, 2026


Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka njoftuar nisjen e zbatimit të programit “Pas Shkolle” në disa shkolla të kryeqytetit, përmes një postimi në faqen e saj zyrtare.

Sipas saj, programi pilot ka filluar këtë javë dhe pas përfundimit të orëve mësimore, nxënësit përfshihen në aktivitete të ndryshme si kërcimi, artet pamore, zejet dhe përgatitja e detyrave të shtëpisë.

Një nga shkollat ku është nisur zbatimi është Shkolla Androkli Kostallari, ku programi po zhvillohet me një grup të caktuar nxënësish. Kumbaro ka uruar mësuesit dhe nxënësit për angazhimin në këtë nismë, duke e cilësuar atë si një hap që forcon edukimin dhe bashkëpunimin në komunitet.

Ministrja theksoi se nxënësit janë shprehur entuziastë për mundësinë e zhvillimit të talenteve të tyre në art, sport dhe aktivitete krijuese, ndërsa edhe prindërit e kanë mirëpritur nismën si mbështetje për fëmijët pas orarit mësimor.

Programi “Pas Shkolle” është pjesë e një reforme më të gjerë të Ministrisë së Arsimit, që synon krijimin e një modeli të unifikuar të aktiviteteve jashtë kurrikulës, duke përfshirë edhe praktika ndërkombëtare si modeli “Shkollat e Shekullit të 21”.

Sipas Ministrisë së Arsimit, aktualisht programi është pilotuar në 46 shkolla në Tiranë dhe synon jo vetëm zgjatjen e qëndrimit të nxënësve në shkollë, por krijimin e një mjedisi të sigurt dhe zhvillues për aftësitë sociale, kreative dhe qytetare.

Në kuadër të skemës së re, është parashikuar gjithashtu dyfishimi i pagesës për orë për mësuesit që angazhohen në këtë program.




Comments are closed.