Kina konfirmon bisedimet për një takim mes Xi, Trump dhe Putin

04 Nov 2026 • 17:26
Shpërndaje:

Kina është në komunikim me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë për organizimin e një takimi të mundshëm mes presidentëve Xi Jinping, Donald Trump dhe Vladimir Putin. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, e konfirmoi të mërkurën, ndërsa përgatitjet po zhvillohen për samitin e APEC-ut në Shenzhen.

Takimi trepalësh mund të mbahet gjatë samitit të 18–19 nëntorit, ku pritet të marrin pjesë të tre udhëheqësit. Megjithatë, zhvillimi i tij dhe axhenda nuk janë konfirmuar përfundimisht.

“Kina është në komunikim me palët përkatëse lidhur me një takim mes tre krerëve të shteteve”, deklaroi Mao gjatë një konference për shtyp, pa dhënë hollësi për temat që mund të diskutohen.

Reklamë Ola

Mundësia e këtij takimi ka nxitur shqetësime në Europë se bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë mund të zhvillohen pa pjesëmarrjen e Kievit dhe të kryeqyteteve europiane.

Trump shprehu muajin e kaluar interes për të diskutuar çarmatimin bërthamor në një takim trepalësh, duke lënë të kuptohet se Ukraina nuk do të ishte tema kryesore.

Reklamë InterMedika

Pekini nuk ka komentuar përmbajtjen e një axhende të mundshme. Ndërkohë, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka deklaruar se Xi e kundërshtoi idenë e diskutimit të Ukrainës në këtë format gjatë takimit të tyre javën e kaluar.

Nga Moska, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka cilësuar një takim të tillë si të përshtatshëm dhe shumë të dobishëm, por pa specifikuar çështjet që mund të trajtohen.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur shqetësimin se bisedimet mund të shndërrohen në një marrëveshje mes fuqive të mëdha për ndarjen e ndikimit.

“Nuk dua vërtet që kjo të jetë një ‘Jaltë – 2, 3, 4’, ku bëhet një rishpërndarje e ndikimit”, deklaroi ai në fund të tetorit, duke iu referuar konferencës së vitit 1945 mes udhëheqësve amerikanë, britanikë dhe sovjetikë për rendin e pasluftës.

Edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka kërkuar që Europa të përfshihet në çdo proces për paqen në Ukrainë. Gjatë një deklarate me Zelenskyn të martën në Berlin, ai theksoi se çështje si sanksionet dhe arkitektura e sigurisë nuk mund të zgjidhen pa europianët.

“Europa duhet dhe dëshiron të luajë një rol në këtë proces”, u shpreh Merz.