Papa Leo XIV nis këtë të premte vizitën e tij katërditore në Francë, e para në këtë vend që prej zgjedhjes së tij në krye të Kishës Katolike. Paris, Lourdes dhe Metz do të jenë ndalesat kryesore të një udhëtimi që pritet të mbledhë qindra mijëra besimtarë.
Momenti më i madh i vizitës pritet të jetë mesha e së shtunës në Place de la Concorde, në zemër të Parisit. Rreth 600 mijë persona janë regjistruar, ndërsa zona e Champs-Élysées do t’i nënshtrohet masave të forta të sigurisë dhe kufizimeve të qarkullimit.
Papa mbërrin të premten në aeroportin Orly, ku do të pritet në kuadër të ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes. Më pas do të takohet me presidentin Emmanuel Macron në Pallatin Élysée dhe me përfaqësues të autoriteteve, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik.
Në axhendën e ditës së parë është edhe një vizitë në selinë e UNESCO-s, përpara lutjeve të mbrëmjes në katedralen e restauruar të Notre-Dame de Paris.
Në mbrëmje, Papa do të udhëtojë drejt Saint-Denis, ku do të zhvillojë një vigjilje lutjeje me të rinjtë në Stade de France.
Nga Parisi në Lourdes
Pas meshës madhështore të së shtunës në Paris, Leo XIV do të udhëtojë drejt Lourdes, një prej qendrave më të rëndësishme të pelegrinazhit katolik në botë.
Të dielën ai do të kremtojë meshën në shenjtëroren e Notre-Dame de Lourdes dhe do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësues të Kishës dhe komunitetit.
Vizita zhvillohet gjithashtu në një moment kur Kisha Katolike franceze vazhdon të përballet me pasojat e skandalit të abuzimeve seksuale nga pjesëtarë të klerit. Gjatë qëndrimit në Lourdes, Papa pritet të zhvillojë një takim privat me viktima të abuzimeve.
Ndalesa e fundit në Metz
Të hënën, Papa do të udhëtojë drejt Metz, ku do të marrë pjesë në një takim ndërfetar dhe në aktivitetin me temë “Në rrënjët e Europës për paqen dhe unitetin”.
Programi do të përfundojë me një meshë në katedralen Saint-Étienne, përpara kthimit të tij në Romë në mbrëmje.
Vizita e Leo XIV po shoqërohet me masa të jashtëzakonshme sigurie. Autoritetet franceze e kanë klasifikuar zyrtarisht atë si një “ngjarje të madhe” dhe kanë mobilizuar strukturat shtetërore për garantimin e sigurisë në Paris, Lourdes dhe Metz.
Interesi i madh për vizitën vjen në një Francë thellësisht laike, por ku vitet e fundit janë shfaqur edhe shenja të një interesi të ri për fenë, veçanërisht përmes rritjes së numrit të të rriturve që kërkojnë të pagëzohen.


