×
Thursday, April 18, 2024

Flamuri i Europës ngrihet në Kryeministri, Rama: Shqipëria kalon në një tjetër nivel

July 20, 2022


Në oborrin e Kryeministrisë u zhvillua mëngjesin e sotëm ceremonia e ngritjes simbolike të flamurit të Evropës pas çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Pas ngritjes së flamurit dhe luajtjes së Himnit Kombëtar, kryeministri Edi Rama iu drejtua të pranishmëve se, “sot është një ditë e re për Shqipërinë dhe ju falënderoj shumë të gjithëve ju që jeni këtu bashkë me mua për ceremonialin e ngritjes së flamurit të BE-së, pas çeljes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e bashkuar europiane”.

“Prania juaj këtu është më shumë sesa një prani protokollare, sepse ju dhe institucionet që përfaqësoni jeni drejtpërdrejt kontributor në ndërtimin e rrugës evropiane të Shqipërisë. Ngritja e këtij flamuri sot në selinë e Kryeministrisë, shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel, jo vetëm në marrëdhëniet me BE, po edhe në të ardhmen e saj, me liritë dhe të drejtat, sigurinë dhe zhvillimin e saj në çdo drejtim”, tha Rama.

Rama shtoi se, “ky moment shënon edhe ngritjen në një nivel tjetër detyrimesh të marrëdhënieve të shoqërisë dhe të qytetarit shqiptar me vlerat, parimet, standardet, rregullat dhe frymën e bashkëjetesës demokratike evropiane”.

Eunews.al



Comments are closed.