Finalja europiane në Tiranë, Roma fiton Conference League ndaj Feyenoord

25 May 2022 • 23:12
Shpërndaje:

Roma fiton UEFA Conference League duke mposhtur 1-0 Feyenoord në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Ndeshja është hapur me një ceremoni spektakolare. Performanca e krijuar në qendër të stadiumit ka kombinuar muzikën me një koreografi kërcimi, në të cilin janë ekspozuar ngjyrat e kompeticionit.

Koreografia është përmbyllur me legjendën e Kombëtares shqiptare, Lorik Cana që ka sjellë trofeun dhe e ka vendosur në qendër të “Arenës Kombëtare”.

Reklamë Ola

Trajneri portugez i “Romës”, Jose Mourinho ka zgjedhur në formacionin titullar: Rui Patricio, Smalling, Ibanez, Mancini, Cristante, Karsdorp, Mkhitaryan, Pellegrini, Zalewski, Zaniolo, Abraham

Ndërsa trajneri i “Feyenoord”, Arne Slot ka zbritur në fushën e lojës me formacionin: Bijlow, Geertruda, Trauner, Senesi Baron, Malacia, Aursnes, Kokcu, Nelson, Til, Sinisterra, Dessers.
Ndeshja drejtohet nga gjyqtari rumun István Kovács, anësor Vasile Florin Marinescu dhe
Ovidiu Artene po nga Rumania.

Reklamë InterMedika

Në sistemin VAR janë 3 gjermanët: Marco Fritz, Christian Dingert, Bastian Dankert.
Gjyqtar i katërt është Sandro Schärer.

Ndeshja nisi me disa gabime në zotërimin e topit nga Roma – fillimisht Cristante, më pas Mhkitaryan, teksa të dy mund të ishin potencialisht shanse të mira.

Asnjë rast i vërtetë nuk është shënuar në dhjetë minutat e para për asnjë nga ekipet.
Pas disa minutash të mira nga “Feyenoord”, loja u ekuilibrua, teksa “Roma” u përpoq të krijonte më shumë.

Në minutën e 25 Abraham i “Romës” kaloi mjaft mirë në qendër, por mbrojtësi Trauner i “Feyenoord” e ndaloi duke marrë karton të verdhë.

“Roma” shënoi në minutën e 32-të me anë të Zaniolos, i cili arriti të kalojë topin mbi portierin e “Feyenoord”.

Në minutën e 37, kapiteni i “Romës”, Pellegrini u ndëshkua me karton të verdhë pas një faulli, teksa trajneri Mourinho kërkon nga lojtarët të menaxhojnë avantazhin deri në fund të pjesës së parë.

Pjesa e parë përfundoi 1-0 për ekipin e Romës.

Në minutën e 47 të pjesës së dytë, Feyenoord ishte pranë golit të barazimit. Pas një goditje këndi holandezët rrezikuan duke goditur shtyllën. Pas tentativës së dytë ishte portieri Rui Patricio që largoi topin në këndore.

Pjesa e dytë foli më shumë për holandezët, të cilët kërkuan golin e barazimit, por pa e arritur atë, pasi Roma u mbrojt shumë mirë, me treshen e mbrojtjes Smalling, Ibanez dhe Mancini.

Feyenoord ishte sërish i rrezikshëm në minutën e 50-të, teksa Malacia goditi nga jashtë zonës dhe topi i pritur nga Rui Patricio goditi shtyllën më pas doli në këndore.

Në minutën e 86 Abraham pati një rast të shkëlqyer për të dyfishuar rezultatin, por u ndalua nga portieri i Feyenoord-it.

Kjo ishte finalja e parë e këtij kompeticioni evropian, teksa është finalja e parë e një kupe evropiane që luhet në Shqipëri